Elena Teslova
22 mars 2022•Përditësim: 23 mars 2022
Politikani opozitar rus Alexei Navalny është dënuar me nëntë vjet burg pasi u shpall fajtor sot për një rast mashtrimi, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjykata në qytetin Pokrov, në lindje të kryeqytetit Moskë, ku Navalny, 45 vjeç, po vuan tashmë një dënim me burg për shkelje të lirimit me kusht, gjithashtu e gjobiti atë me 1,2 milionë rubla (rreth 11,500 dollarë).
Zyra e prokurorit të shtetit i kërkoi gjykatës ta shpallë Navalny-n fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës, të cilat përfshijnë mospërfillje të gjykatës, dhe ta dënojë atë me 13 vjet burg dhe një gjobë prej 1,2 milionë rubla. Mbrojtja këmbënguli në pafajësinë dhe kërkoi lirimin e tij.
Navalny u dënua për organizimin e një “organizate kriminale” së bashku me shokët e tij Leonid Volkov dhe Roman Rubanov për të mbledhur fonde për Fondacionin Kundër Korrupsionit.
Sipas hetuesve, në vend që të financonte fondacionin, Navalny shpenzoi para për "ekstremizëm" dhe nevojat e tij personale. Ai dyshohet se vodhi më shumë se 2.6 milionë rubla (rreth 22.000 dollarë) nga katër persona, të cilët më vonë ngritën padi kundër tij dhe të tjerëve.
Lideri i opozitës ruse dyshohet se ka fyer edhe prokuroren Ekaterina Frolova, e cila mbështeti akuzën kundër tij.
Një gjykatë në Moskë në shkurt e dënoi Alexei Navalny për shkelje të një dënimi me kusht.
Ai u arrestua në Moskë pasi u kthye nga Gjermania në janar të vitit të kaluar, ku po trajtohej pasi u helmua me agjent nervor. Vendet perëndimore dhe Navalny kanë fajësuar Rusinë për helmimin, e cila kundërshtohet nga Kremlini.