Ekip
20 Shkurt 2021•Përditësim: 21 Shkurt 2021
Nënkryetari i Këshillit të Presidencës Libiane të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA), Ahmed Maiteeq, ka njoftuar se bashkë me ministrin e Financave, Faraj Boumtari, mbërritën në qytetin lindor Al-Bayda për të marrë pjesë në ceremoninë e miratimit të buxhetit të unifikuar për Libinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Maiteeq ka bërë të ditur se ai do të takohet edhe me Aguila Salehin, kryetarin e parlamentit të Tobrukut, duke mos dhënë detaje të mëtejshme.
Kjo është vizita e parë që e zhvillon një delegacion që përfaqëson qeverinë e Tripolit në lindje të vendit, që kontrollohet nga komandanti Khalifa Haftar.
Më 8 shkurt, Misioni Mbështetës i OKB-së në Libi (UNSMIL) njoftoi se palët rivale në Libi ranë dakord mbi një buxhet kombëtar të unifikuar dy-mujor "për të lejuar që ekzekutivi i unifikuar i sapo formuar të vendosë për buxhetin e plotë për vitin 2021".
"Kjo është hera e parë që nga viti 2014 që Libia ka një buxhet të unifikuar kombëtar", tha UNSMIL në atë kohë. Misioni nuk dha shifra për të ardhurat dhe shpenzimet në buxhetin e përkohshëm.
Më 5 shkurt, grupet politike rivale të Libisë ranë dakord gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga OKB në Gjenevë për të formuar një qeveri të përkohshme të unitetit për të udhëhequr vendin drejt zgjedhjeve që janë planifikuar të mbahen këtë dhjetor.