Oliver Towfigh Nia
13 nëntor 2026•Përditësim: 13 nëntor 2026
Parlamenti i Gjermanisë sot miratoi reformë të gjerë të shërbimeve të inteligjencës së vendit, duke u dhënë agjencive kompetenca më të zgjeruara për të ndërhyrë kundër kërcënimeve të sigurisë, përfshirë kryerjen e operacioneve të sabotimit jashtë vendit, transmeton Anadolu.
Legjislacioni u miratua me 309 vota pro, 190 kundër dhe 71 abstenime.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, i cilësoi këto ndryshime si “reforma e shekullit”. “Ne duhet ta forcojmë demokracinë kundër atyre që e sulmojnë atë si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë”, tha Dobrindt gjatë fjalimit të tij në parlament.
Reforma zgjeron kompetencat e Shërbimit Federal të Inteligjencës (BND), përgjegjës për inteligjencën e jashtme, dhe të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), agjencia e inteligjencës së brendshme të Gjermanisë.
Në kushte të caktuara, BfV-së do t’i lejohet të shkojë përtej mbledhjes së informacionit dhe mbikëqyrjes së individëve, duke ndërmarrë edhe veprime konkrete, përfshirë hyrjen në mënyrë të fshehtë në banesa private ose ndërhyrjen në raste që përfshijnë eksplozivë apo armë.
Arrestimet dhe kontrollet e hapura do të mbeten kompetencë ekskluzive e policisë. BND-ja do të fitojë kompetenca operacionale, përfshirë mundësinë për të çaktivizuar serverët që u përkasin grupeve të hakerëve të mbështetura nga shtete të huaja.
Një panel ish-gjyqtarësh do të shqyrtojë ligjshmërinë e masave të caktuara përpara zbatimit të tyre. Qeveria thotë se ndryshimet janë përgjigje ndaj kërcënimeve në rritje nga shërbimet e huaja të inteligjencës, veçanërisht ato të Rusisë dhe Kinës dhe synojnë të ulin varësinë nga informacionet e inteligjencës që sigurohen nga aleatët.
Megjithatë, politikanët e opozitës dhe organizatat ligjore kanë paralajmëruar se zgjerimi i kompetencave mund të dobësojë liritë civile dhe ndarjen e vendosur në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore ndërmjet mbledhjes së informacioneve të inteligjencës dhe veprimtarisë policore.
Kjo ndarje pasqyron përvojën e vendit me Gestapon e periudhës naziste, e cila kombinonte mbikëqyrjen me kompetencat për të përndjekur kundërshtarët politikë dhe grupet e tjera të shënjestruara.
Shoqata Gjermane e Avokatëve paralajmëroi se dhënia e kompetencave për ndërhyrje të drejtpërdrejtë agjencive të inteligjencës do të “rrezikonte ndarjen e përcaktuar me kushtetutë ndërmjet shërbimeve të inteligjencës dhe policisë”. Ajo kritikoi dobësimin e garancive për mbrojtjen e komunikimeve konfidenciale ndërmjet avokatëve dhe klientëve të tyre.
Deputeti i të Gjelbërve, Konstantin von Notz kishte paralajmëruar më herët se ndryshimet mund t’u mundësojnë agjentëve të inteligjencës të ndërmarrin veprime kundër qytetarëve pa transparencën dhe kontrollin ligjor që kërkohet nga policia.