Dzihat Aliju
25 maj 2016•Përditësim: 26 maj 2016
SHKUP (AA) - Në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, u organizua mbledhja e parë e bordit drejtues të Platformës së Inkluzionit në Maqedoni, e cila vepron nën çatinë e Platformës Botërore të Inkluzionit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në programin e organizuar në mikpritjen e Universitetit Ndërkombëtar të Ballkanit (IBU) në Shkup, pjesë morën ambasadori i Turqisë në Shkup, Ömür Şölendil, koordinatori i TIKA-s në Shkup, Teoman Tiryaki, rektori i IBU-së, Prof. Dr. İsmail Kocayusufoğlu, koordinatori i përgjithshëm i Platformës Botërore të Inkluzionit, Hasan Feyzi Giray, përfaqësues të organizatave turke në vend dhe përfaqësues të institucioneve vendore.
Në një fjalim të mbajtur, ambasadori Şölendil, duke u shprehur se ka qenë i emocionuar me rastin e prezantimit të projektit para tij, tha se "Ky është një aktivitet dhe proces tejet i rëndësishëm humanitar i cili pa bërë asnjë dallim e përmirëson dialogun mes njerëzve, vëllazërinë dhe dashurinë dhe është bashkues, edukues dhe unifikues. Me këtë rast, dëshiroj t'ua përcjell falënderimet gjithsecilit që ka dhënë mbështetje në këtë proces."
Ndërkaq, koordinatori i përgjithshëm i Platformës Botërore të Inkluzionit, Hasan Feyzi Giray tha se janë një organizatë e cila është krijuar për përhapjen e kulturës së të jetuarit së bashku me personat me aftësi të kufizuara, duke shtuar se Bosnjë dhe Hercegovina dhe Maqedonia janë zgjedhur si shtete në të cilat projekti do të testohet.
Duke rikujtuar se hapjen në Bosnje e kishin realizuar 15 ditë më parë, Giray u shpreh se "Edhe këtu do të bëhet hapja. Fillimisht do të bëhet një plan operativ tremujor, e më pas, në dashtë Zoti, do të realizohet edhe hapja e Platformës së Inkluzionit në Maqedoni. Falënderoj të gjithë personat që kanë dhënë mbështetje."
Fjalim mbajti edhe koordinatori i TIKA-s në Shkup, Teoman Tiryaki, i cili tha se si institut realizojnë shumë projekte dhe aktivitete për zhvillimin e Maqedonisë dhe se investimet e bëra për njerëzit në kuadër të kësaj kanë rëndësi të veçantë për ta.
Nga ana tjetër, rektori i IBU-së, Kocayusufoğlu shprehu kënaqësinë e tij për mikpritjen e një organizimi të tillë i cili ngërthen gjithsecilin.