Dejan Maksimoviç
24 Shkurt 2018•Përditësim: 25 Shkurt 2018
BARCELONË (AA) – Sipas informacioneve të mediave katalonase, policia spanjolle ka ndaluar avionin privat të Pep Guardiola-s, trajnerit të Manchester City, gjatë arritjes në aeroportin El Prat në Barcelonë për të kontrolluar nëse në të ka udhëtuar Carles Puigdemont, ish-presidenti i Katalonjës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ish-lideri i Katalonjës pas shpalljes së masave të jashtëzakonshme nga ana e pushtetit qendror spanjoll u arratis në Belgjikë. Autoritetet spanjolle kundër Puigdemont kanë ngritur aktakuza dhe nëse kthehet në territor të Spanjës do të arrestohet.
Radio Catalunya njoftoi se zyrtarët e policisë spanjolle javën e kaluar, kur Guardiola u kthye në Barcelonë, kanë hyrë në aeroplan duke e kontrolluar nëse në të ishte Puigdemont, por u vërtetua se aty ishte vetëm bashkëshortja dhe fëmijët e trajnerit të njohur të futbollit.
Situata e njëjtë pretendohet se ndodhi edhe të enjten, pasi Guardiola me avion privat ateroi në aeroportin El Prat. Policia sërish kontrolloi avionin, por Puigdemont-in nuk e gjetën.
Theksohet se bëhet fjalë vetëm për kontroll rutinor.
Guardiola është një nga luftëtarët më të njohur për pavarësinë e Katalonjës. Për këtë shkak ka problem jo vetëm në Spanjë, por madje edhe në Angli, ku Federata e Futbollit (FA) ka hapur hetim kundër tij.