Jo Harper
19 Shkurt 2025•Përditësim: 20 Shkurt 2025
Shumica e polakëve kundërshtojnë pranimin e emigrantëve në Poloni, transmeton Anadolu.
Në një sondazh të "Opinia24" të bërë për RMF FM, të anketuarit u pyetën: "A jeni ju personalisht pro apo kundër pranimit të emigrantëve nga Polonia?".
Rreth 75 për qind e të anketuarve thanë jo, ndërsa më shumë se gjysma (51 për qind) shprehën një kundërshtim të fortë ndaj pranimit të emigrantëve. Ndërkohë, 24 për qind thanë se ishin "më tepër kundër".
Gjithsej 25 për qind e të anketuarve ishin në favor të pranimit të emigrantëve në Poloni, por vetëm 5 për qind treguan se ata e mbështesin "fuqishëm" një opsion të tillë.
Sipas sondazhit, meshkujt (78 për qind) kundërshtuan më shumë pranimin e emigrantëve në krahasim me femrat (73 për qind). Përgjigjet negative kanë mbizotëruar pavarësisht grupmoshës, arsimit apo vendbanimit.
Sa u përket mbështetësve të partive në pushtet, Koalicioni Qytetar (centrist) dhe Partisë Razem (e majtë), votat "pro" dhe "kundër" ishin pothuajse të barabarta.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk tha së fundmi se Varshava nuk do të zbatonte paktin e migracionit të Bashkimit Evropian nëse ai nënkupton që Polonia të pranonte emigrantë të zhvendosur nga shtetet e tjera anëtare.
Pakti i BE-së për Migracionin dhe Azilin përfshin masa të tilla si një "kornizë solidariteti" e krijuar për të shpërndarë barrën midis shteteve anëtare në trajtimin e azilkërkuesve.