Mehmet Yılmaz
26 Gusht 2017•Përditësim: 27 Gusht 2017
VARSHAVË (AA) - Polonia për shkak të deklaratave të presidentit francez, Emmanuel Macron, në lidhje me Poloninë i ka dërguar një notë proteste Francës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Jashtme e Polonisë duke u vënë në dukje se i ngarkuari me punë i Ambasadës së Francës në Varshavë është thirrur në ministri thuhet se "Zëdhënësi i presidencës polake, Marek Megierowski, i ka shprehur të ngarkuarit me punë pakënaqësinë e qeverisë polake për shkak të 'shprehjeve me mendjemadhësi të Macronit'".
Deklarata "qeveria e Varshavës po largon veten e saj nga Evropa" që presidenti francez Macron ka bërë gjatë vizitës së tij në Bullgari është pritur me reagime. Kryeministrja polake, Beata Szydlo, duke theksuar se Emmanuel Macron nuk ka përvojë në politikë kishte bërë vlerësimin se "Deklaratat me mendjemadhësi (të Macron) mund të vërehen si mungesë e përvojës në politikë."
"I rekomandoj të nderuarit president që të përqendrohet tek vendi i tij. Ndoshta atëherë ai mund të ofrojë për qytetarët e tij rezultatet ekonomike dhe nivelin e sigurisë që Polonia ofron për qytetarët e saj", është shprehur ndër të tjera Szydlo.
Ndërsa gjatë një deklaratë në konferencën e përbashkët për shtyp ku morën pjesë ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Jashtëm i Rumanisë, Teodor Meleskanu dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ministri i Jashtëm i Polonisë, Witold Waszczykowski, kishte mbrojtur idenë se Polonia nuk po vetmohet në Evropë.
"Sot po realizojmë një takim të rëndësishëm. Ajo që duket është se presidenti Macron nuk i ndjek lajmet dhe nuk ka dijeni se çfarë ndodh në këtë rajon të Evropës", është shprehur ndër të tjera Waszczykowski.