Rahmi Gündüz
15 Korrik 2016•Përditësim: 15 Korrik 2016
PARIS (AA) – Presidenti i Francës Fraçois Hollande konfirmoi se në sulmin terrorist që u organizua mbrëmë gjatë festimeve të 14 Korrikut, Ditës Kombëtare, jetën e kanë humbur 84 persona ndërsa vazhdon të mbetet kritike gjendja shëndetësore e 50 të plagosurve, raporton Anadolu Agency (AA).
"Afërsisht 50 persona që po trajtohen në spitale po luftojnë për jetë", tha presidenti francez pas vizitës që u bëri të plagosurve me kryeministrin Manuel Valls në Nicë.
Ai tha se nuk e përjashtojnë mundësinë që sulmuesi të ketë pasur bashkëpunëtorë. Ai tha se lufta e Francës kundër terrorizmit do të vazhdojë me këmbëngulje.
Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL) me qendër në Lyon, në qytetin e Nicës ka dërguar një ekip për ndihmë në punimet për identifikimin e të vdekurve dhe të plagosurve si pasojë e sulmit.
Nga lajmet e deritanishme, mësohet se si pasojë e sulmit jetën e kanë humbur dy shtetas të SHBA-ve, tre nga Gjermania, tre nga Zvicra, një nga Australia dhe një shtetas nga Çekia.
Kanali televiziv BFM bëri të ditur se kanë përfunduar kërkimet në shtëpinë e sulmuesit me origjinë tuniziane Mohamed Lahouaiej Bouhlel të cilin policia e neutralizoi, dhe se nuk është gjetur asnjë armë apo mjet shpërthyes.
Mësohet se gruaja e divorcuar e sulmuesit është arrestuar.
Gjithashtu, theksohet se sulmuesi 31-vjeçar që jetonte në qytetin Nicë ishte i njohur për autoritetet gjyqësore për vepra të lehta penale.