Lina Altawell
17 qershor 2026•Përditësim: 17 qershor 2026
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun ka diskutuar për kushtet në jug të vendit dhe punën e Forcës së Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) me komandantin e forcës ndërkombëtare që vepron në rajon, transmeton Anadolu.
Sipas Presidencës libaneze, në praninë e zv/koordinatorit të posaçëm të OKB-së dhe koordinatorit rezident dhe humanitar për Libanin, Imran Riza, presidenti Aoun dhe komandanti i UNIFIL-it, gjeneral Diodato Abagnara, shqyrtuan zhvillimet në jug, përfshirë vështirësitë dhe kufizimet e raportuara me të cilat përballet UNIFIL-i në zonën e operacioneve si dhe fazën pas përfundimit të misionit kur të skadojë mandati i forcës.
Aoun shprehu ngushëllimet e tij për anëtarët e forcës ndërkombëtare të vrarë në jug të Libanit dhe vlerësoi rolin dhe sakrificat e tyre në ruajtjen e paqes.
Të dielën në mbrëmje, Washingtoni dhe Teherani njoftuan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Pakistani për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake në disa fronte, përfshirë Libanin, për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të hequr bllokadën detare ndaj Iranit. Marrëveshja pritet të nënshkruhet të premten në Zvicër.
Pavarësisht këtij njoftimi, ushtria izraelite të hënën kreu shembje objektesh dhe bombardime në disa qytete të jugut të Libanit. Gjithashtu u raportua se banorët e zhvendosur po ktheheshin në disa fshatra jugore ndërsa autoritetet lokale u bënë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shtyjnë kthimin e tyre.
Sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë, Izraeli ka zhvilluar një fushatë ushtarake në shkallë të gjerë në Liban që nga 2 marsi, duke vrarë të paktën 3.783 persona dhe duke plagosur më shumë se 11.699 të tjerë. Mbi 1 milion njerëz janë zhvendosur gjithashtu.
Izraeli vazhdon të mbajë nën pushtim zona në jug të Libanit, disa prej tyre prej dekadash dhe të tjera që nga lufta e viteve 2023-2024. Gjatë konfliktit aktual, forcat izraelite kanë avancuar më shumë se 10 kilometra brenda territorit libanez.