Furkan Güldemir
14 Shkurt 2017•Përditësim: 15 Shkurt 2017
BEJRUT (AA) - FURKAN GÜLDEMİR
Sherbil Ebu Abbud, klerik libanez i krishterë, ka shprehur kritika në lidhje me "Ditën e Shën Valentinit" apo Ditën e të Dashuruarve, duke thënë se kjo ditë ka humbur vlerën shpirtërore dhe është shndërruar në ditë kur "çdokush blen gjëra duke harxhuar para pa llogari", raporton Anadolu Agency (AA).
Ndërkohë 14 Shkurti dihet si ditë ku të gjitha dyqanet pajisen me gjësende në formë të lules dhe zemrës së kuqe dhe ku çiftet bëjnë pazar dhe i dhurojnë njëri-tjetrit dhurata të ndryshme. Megjithatë, e kaluara e kësaj dite mbështetet në një rrëfim shumë më ndryshe.
Kleriku i krishterë nga Bejruti, Ebu Abbud, duke folur për AA, theksoi se dita e të dashuruarve mban emrin e Shën Valentinit i cili ka jetuar në Romë nga mesi i shekullit II. "Perandori Claudiusi II i Romës kishte ndaluar me dekret martesat e çifteve të reja në mënyrë që të grumbullojë ushtarë për ushtrinë e tij. Megjithatë, Shën Valentini kundërshtoi këtë praktikë dhe i martonte ushtarët e rinj", tha Ebu Abbud.
Siç tha prifti Ebu Abbud, Shën Valentini këtë kundërshtim e ka paguar me jetë në vitin 269. "Kisha Katolike filloi ta përdorë ngjyrën e kuqe në shenjë respekti ndaj Shën Valentinit. Klerikët katolikë donin që çdo vit ta përkujtonin sakrificën e Shën Valentinit duke u veshur me ngjyrë të kuqe. Mirëpo, sot, njerëzit e kuptojnë gabimisht këtë", vuri në pah Ebu Abbud.
"Dita e të Dashuruarve sot nuk mban asnjë vlerë kulturore"
Prifti Ebu Abbud tha se nuk i ka përvetësuar të gjitha zakonet e reja të cilat janë shfaqur në ditën e Shën Valentinit. "Dita e të dashuruarve të cilën e shohim sot nuk ka asnjë vlerë kulturore. Të gjithë ditët fetare tanimë janë bërë sipërfaqësore. Ajo që ndodh sot është blerja e gjërave duke harxhuar para pa llogari", u shpreh kleriku Ebu Abbu, duke shtuar se në këtë mënyrë, këto ditë humbin frymën dhe kuptimin e vërtetë.
"Më 14 shkurt, vëllimi i konsumit global arrin në 13 miliardë dollarë"
Nga ana tjetër, ekonomistët e vlerësojnë 14 Shkurtin si mundësi për lëvizshmëri ekonomike.
Eksperti i ekonomisë, Muhammed Belluza, duke folur për ndikimin konsumatorëve në ditën e të dashuruarve mbi ekonominë globale, informoi se "Më 14 shkurt, vëllimi i konsumit global arrin në 13 miliardë dollarë, kurse konsumi mesatar për person arrin deri në 116 dollarë. Më 14 shkurt, meshkujt bëjnë harxhime dyfish më shumë se femrat. Kompanitë sot bëjnë investime në masë të konsiderueshme dhe nxjerrin produkte special për këtë ditë."
Belluza u shpreh se gjendjen e 14 shkurtit nuk e sheh të gabuar në realitetet e ditëve të sotme. "Tregtarët e shohin atë si një mundësi për intensifikimin e tregut dhe rritjen e përfitimeve të tyre", tha Belluza, duke shtuar se, nga ana tjetër, klientët shpenzojnë para për t'u gëzuar dhe për ta shprehur dashurinë e tyre.