Saadet Firdevs Aparı
26 tetor 2022•Përditësim: 27 tetor 2022
Për herë të parë në historinë e Zelandës së Re numri i grave në Parlament tejkalon atë të burrave, raporton Anadolu Agency (AA).
Pasi që ish-kryeparlamentari, Trevor Mallard u largua nga Parlamenti dhe u emërua ambasador në Irlandë ndërsa Soraya Peke-Mason nga Partia Laburiste u bë anëtare e re e Parlamentit, gratë përbëjnë shumicën e Parlamentit të Zelandës së Re.
Pas ndryshimeve të reja, tani në Parlamentin e shtetit ka 60 gra dhe 59 burra.
"Mendoj se sot është një ditë e veçantë për mua, por edhe historike për Zelandën e Re", deklaroi para gazetarëve, Peke-Mason.
Sipas Unionit Ndërparlamentar (IPU), Zelanda e Re tani është në mesin e gjashtë vendeve me të paktën 50 për qind të grave në Parlament.
Përveç Zelandës së Re, gratë janë shumicë edhe në Kubë, Meksikë, Nikaragua, Ruandë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas të dhënave të fundit, gratë përbëjnë rreth 26 për qind të anëtarëve të parlamenteve në vende gjithandej botës.