Ali Murat Alhas
04 Prill 2019•Përditësim: 08 Prill 2019
Qeveria e Afganistanit do të ftojë përfaqësuesit e talebanëve në kryeqytetin Kabul si pjesë e përpjekjeve aktuale për paqe, bën të ditur Mohammad Umer Daudzai, kryetar i Këshillit të Lartë për Paqe, që është i obliguar për të arritur marrëveshje paqësore me militantët, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne zyrtarisht do të ftojmë zyrtarët talebanë në takimin kombëtar për paqe në ditët në vijim”, tha Daudzai për AA.
Ai theksoi se në takim do të merrnin pjesë rreth 2.000 qytetarë të Afganistanit, duke përfaqësuar njerëz nga të gjitha sferat e jetës, ndërsa shtoi se pret rezultate pozitive nga pjesëmarrja e përfaqësuesve të talebanëve.
Daudzai më tej tha se pritet të mbahet edhe një takim tjetër mes talebanëve, politikanëve të Afganistanit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, takim që siç tha ai, do të mbahej më vonë gjatë këtij muaji në Katar.
“Pas takimit kombëtar për paqe, politikanë nga Afganistani dhe përfaqësues të OJQ-ve do të përgatiten për të mbajtur bisedime me talebanët në Katar. Ne shpresojmë në përfaqësimin e Qeverisë së Afganistanit në këtë takim”, tha Daudzai.
Duke iu referuar negociatave për paqe mes SHBA-së dhe talebanëve, ai tha se shteti i Afganistanit nuk është informuar në mënyrë transparente dhe ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigje.
Mohammad Yusuf Saha, zëdhënës i ish-presidentit Hamid Karzai, tha se në bisedimet për paqe në Katar më 14-15 prill do të marrin pjesë delegacione “të fuqishme” ku përfshihen politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Akoma nuk dihet nëse Qeveria e Afganistanit do të merr pjesë në bisedimet në Katar, ku do të takohen zyrtarë nga SHBA-të dhe talebanët.
Qeveria e Afganistanit gjithnjë e më shumë po ndjehet e anashkaluar, pasi talebanët nuk dëshirojnë të bisedojnë me Kabulin zyrtar, duke çuar në një stagnim.
Zalmay Khalilzad, i dërguari special i SHBA-ve për paqe në Afganistan, po takon zyrtarët e Afganistanit si pjesë e turneut të tij në rajon.
Khalilzad takoi presidentin afgan Ashraf Ghani, një delegacion të grave në negociatat për paqe dhe liderët e fiseve në jug të Afganistanit.
Ai të martën theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Qeverisë së Afganistanit në procesin e paqes.
Talebanët akoma dominojnë në shumë pjesë të Afganistanit dhe përbëjnë kërcënim të madh ndaj qeverisë së udhëhequr nga Ghani, ndërsa kjo situatë çon drejt sfidave serioze të sigurisë në vend.
Krahas përpjekjeve të qeverisë për të filluar bisedimet për paqe me talebanët në vitet e fundit si dhe krijimin e Këshillit për Paqe, akoma nuk janë arritur rezultate konkrete.