Ekip
17 gusht 2022•Përditësim: 18 gusht 2022
Mijëra njerëz në Britani që u infektuan me HIV ose hepatit nga transfuzionet e gjakut të infektuar në vitet 1970-1980 do të marrin 120 mijë dollarë si kompensim, njoftoi sot qeveria e Britanisë së Madhe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të mbijetuarit e mirëpritën njoftimin e kompensimit, që erdhi pas një fushate disa vjeçare, por thanë se duhet të shtrihet në mënyrë që të përfshijë më shumë njerëz, jetët e të cilëve u dëmtuan nga skandali.
Kompensimi do të bëhet deri në tetor për të mbijetuarit dhe partnerët e të vdekurve, por nuk përfshin anëtarët e tjerë të familjes, si prindërit ose fëmijët. Vendimi për kompensimin e tyre nuk pritet deri në përfundimin e një hetimi publik vitin e ardhshëm.
Mijëra të prekur nga hemofilia dhe pacientë të tjerë të shtruar në spitale në Britani u infektuan me HIV ose Hepatit C nëpërmjet produkteve të gjakut të infektuar, kryesisht të importuara nga SHBA. Rreth 2.400 njerëz kanë vdekur si rezultat i skandalit, që njihet si fatkeqësia më e rëndë e trajtimit në historinë e sistemit të kujdesit shëndetësor të Britanisë.
Gjaku i kontaminuar ishte i lidhur me furnizimet e një agjenti koagulues të quajtur Faktori VIII, të cilin shërbimet shëndetësore britanike e blenë nga SHBA-ja. Një pjesë e plazmës së përdorur për prodhimin e produkteve të gjakut u gjurmua tek donatorët me rrezik të lartë, duke përfshirë të burgosurit, të cilët paguheshin për t'i dhënë mostrat e gjakut.