Necva Taştan Sevinç
12 gusht 2026•Përditësim: 12 gusht 2026
Një rrjedhje e të dhënave që përfshiu platformën franceze kundër telemarketingut Bloctel mund të ketë ekspozuar numrat e telefonit të deri në 3 milionë përdoruesve, raportuan të mërkurën mediat lokale, transmeton Anadolu.
Rrjedhja u bë publike pak pasi Bloctel ndërpreu funksionimin më 11 gusht, në kuadër të legjislacionit të ri që rregullon thirrjet dhe mesazhet komerciale, sipas transmetuesit BFMTV.
Faqja e internetit për sigurinë kibernetike French Breaches raportoi e para për incidentin, pasi të dhënat e lidhura me platformën u publikuan dhe u ofruan për shitje në një forum të kriminelëve kibernetikë.
Autoritetet franceze thanë se hakerët shfrytëzuan një llogari biznesi që nuk kishte autentifikim me dy faktorë, duke u mundësuar të merrnin numrat e telefonit të përdoruesve, të cilët shfaqeshin në formë të qartë gjatë kërkimeve.
Bloctel tha se janë ekspozuar vetëm numrat e telefonit dhe se të dhënat e rrjedhura nuk ishin të lidhura me emrat e përdoruesve apo informacione të tjera personale.
Jo të gjithë përdoruesit e regjistruar u prekën, tha Bloctel, duke shtuar se personat e prekur janë njoftuar përmes postës elektronike.
“Zbulimi i një numri telefoni mund të lehtësojë, veçanërisht, marrjen e thirrjeve ose mesazheve SMS të padëshiruara, si dhe përpjekjet për mashtrim ose phishing”, paralajmëroi Bloctel.
Llogaritë e biznesit të komprometuara u çaktivizuan, ndërsa autoriteti francez për mbrojtjen e të dhënave, CNIL, u njoftua për rrjedhjen, tha Bloctel.
Bloctel u mundësonte konsumatorëve të regjistronin numrat e tyre në një listë për të mos u kontaktuar me thirrje komerciale. Sipas ligjit të ri, kompanitë duhet të marrin “pëlqimin e lirë dhe të informuar” të konsumatorëve përpara se të përdorin numrat e tyre për thirrje ose mesazhe komerciale.