Andrew John Roesgen
12 nëntor 2021•Përditësim: 13 nëntor 2021
Është rritur në 9 numri i viktimave në festivalin muzikor në Houston të SHBA-së pasi një turmë e madhe nxitoi drejt skenës të premten e kaluar, njoftuan zyrtarët, transmeton Anadolu Agency (AA).
Koncerti në ambient të hapur i yllit të hip-hop-it, Travis Scott, Astroworld në NRG Park vazhdoi edhe pas rrëmujës vdekjeprurëse.
Ndërsa të afërmit vajtonin aty pranë, avokati i familjes së Bharti Shahani njoftoi të enjten se studentja 22-vjeçare kishte vdekur një natë më parë dhe ishte viktima e nëntë fatale e rrëmujës vdekjeprurëse në koncertin që u mbajt në Houston të Teksasit.
Shahani, vajza e emigrantëve indianë, ishte në mesin e atyre që humbën jetën kur turma në festivalin e muzikës në ambient të hapur Astroworld kaloi në rrëmujë, në fillim të performancës së Scott.
“Asnjëherë në një milion vjet, kur ajo dilte me miqtë, motrën dhe kushërirën e saj në shfaqje, (familja e saj nuk e imagjinoi) se kjo do të ishte hera e fundit që do ta shihnin”, tha avokati i familjes, James Lassiter.
Lassiter ka ngritur padi prej 20 milionë dollarësh për shkak të vdekjes. Ai nuk deshi të fliste rreth padisë apo hetimit penal që është nisur, por tha se koncerti dështoi "në çdo nivel".
"Mënyra se si u organizua ky festival ishte një recetë për fatkeqësinë që këta njerëz përgatitën. Ata injoruan sigurinë. Ata vendosën fitimet mbi sigurinë dhe si rezultat ne kemi këtë tragjedi", theksoi Lassiter.
Gjithashtu në konferencën për media foli edhe familja e saj.
Nëna e saj, Karishma Shahani me lot në sy tha: "Çfarë i ndodhi asaj? Unë dua fëmijën tim. Ndjej mungesën e saj".
Lassiter tha se një video e cila po qarkullon nga koncerti shihet një vajzë duke rënë nga barela teksa punonjësit mjekësorë përpiqeshin ta dërgonin në një vend të sigurt ishte Bharti Shahani. Ajo pësoi sulme të shumta në zemër dhe përfundimisht nuk tregoi asnjë aktivitet të trurit.
Qindra të tjerë u plagosën në rrëmujë ndërsa në mesin e tyre në spital është dhe një djalë 9-vjeç, i cili nuk tregon aktivitet truri, sipas familjes së tij.
Lassiter zbuloi se djali i tij 17-vjeçar mori pjesë në koncert.
"Unë isha i bekuar që ai u kthye në shtëpi atë natë. Shahani nuk pati fatin e njëjtë", tha ai.