Mohammad Sıo
25 Nëntor 2025•Përditësim: 25 Nëntor 2025
Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) e Sudanit ka njoftuar një armëpushim humanitar të njëanshëm 3-mujor me ushtrinë sudaneze, duke theksuar se ky veprim i përgjigjet përpjekjeve ndërkombëtare për të ndaluar dhunën dhe për të zgjeruar qasjen për agjencitë e ndihmës, transmeton Anadolu.
Komandanti i RSF-së, Mohamed Hamdan Dagalo, tha se forcat e tij dhe grupet aleate kanë rënë dakord për “një armëpushim të menjëhershëm humanitar që përfshin ndalimin e të gjitha veprimeve armiqësore për tre muaj”.
Dagalo tha se RSF-ja është e përkushtuar për të mundësuar operacionet humanitare me sigurimin e lëvizjes së punonjësve të ndihmës dhe qasjes së papenguar në të gjitha rajonet e prekura, me mbrojtjen e objekteve dhe depove që i përkasin organizatave lokale dhe ndërkombëtare, si dhe me lejimin e ekipeve mjekësore dhe të ndihmës të veprojnë lirisht.
Ai gjithashtu njoftoi miratimin e RSF-së për krijimin e një mekanizmi monitorimi në terren për të mbikëqyrur armëpushimin, nën mbikëqyrjen e Katërshes dhe Unionit Afrikan dhe komiteteve shtesë të ngarkuara me sigurimin që ndihma të arrijë tek civilët në mënyrë të sigurt.
Armëpushimi, theksoi ai, duhet të shërbejë si “hap i parë drejt përfundimit të armiqësive dhe arritjes së një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse politike” për konfliktin e Sudanit.
Komandanti i RSF-së shprehu shpresën se mbështetja ndërkombëtare dhe pjesëmarrja e gjerë sudaneze do t’i hapnin rrugën një procesi politik që i jep fund luftës dhe që udhëheq vendin drejt një tranzicioni të qëndrueshëm.
Dagalo tha se çdo rrugë politike e ardhshme duhet të përjashtojë "Lëvizjen Islamike terroriste, Vëllazërinë Muslimane, Partinë e Kongresit Kombëtar dhe bashkëpunëtorët e tyre (ushtria dhe grupet aleate)", të cilët ai i akuzoi se mbajnë përgjegjësi për "tre dekada vuajtjesh" në Sudan.
Deri më tani nuk ka pasur ndonjë koment i menjëhershëm nga ushtria sudaneze mbi njoftimin e RSF-së.
Të dielën, kryetari i Këshillit të Sovranitetit Tranzitor të Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, kritikoi një propozim nga Katërshja, e cila përfshin SHBA-në, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai nuk zbuloi detajet e dokumentit të cilit iu referua.
Më 12 shtator, Katërshja bëri thirrje për një armëpushim fillestar 3-mujor humanitar në Sudan për të lejuar që ndihma urgjente humanitare të hyjë në të gjitha zonat, duke i hapur rrugën një armëpushimi të përhershëm.
Javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA-ja do të punojë për t'i dhënë fund konfliktit në Sudan me kërkesë të Princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.
Që nga prilli i vitit 2023, ushtria sudaneze dhe RSF-ja janë përfshirë në një luftë që ndërmjetësimet rajonale dhe ndërkombëtare nuk kanë arritur ta përfundojnë. Konflikti ka vrarë mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona të tjerë.