Ali Cura
28 Qershor 2020•Përditësim: 29 Qershor 2020
Numri i të diagnostikuarve me koronavirusin e ri (COVID-19) deri më tani në Rusi ka shkuar në 634.437, ndërsa bilanci i viktimave ka arritur në 9.073, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Infeksioneve të Koronavirusit njoftoi se në 24 orët e fundit janë diagnostikuar 6.791 raste të reja me virusin dhe 104 të vdekur.
Numri i të shëruarve ka arritur në 399.087, me 5.735 të shëruar në 24 orët e fundit.
Në Moskë janë regjistruar 717 raste të reja, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 220.071, ndërsa numri i të vdekurve në kryeqytetin rus ka mbërritur në 3.738, me 24 viktima të reja.
Nga ana tjetër, Shërbimi i Shëndetit Publik dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorit bëri të ditur se deri më tani në Rusi janë kryer mbi 19 milionë teste.
Rasti i parë me COVID-19 në Rusi u zbulua më 31 janar, ndërsa vdekja e parë u regjistrua më 19 mars. Autoritetet filluan të zbatojnë masat parandaluese nga fundi i muajit mars.
Në rajonet më pak të goditura, autoritetet kanë lehtësuar masat, por e kanë bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave dhe dorezave në vendet e mbyllura dhe të frekuentuara.
Nga 9 qershori, në Moskë u hoq kufizimi i lëvizjes që kishte hyrë në fuqi më 30 mars.