Emre Gürkan Abay
15 Mars 2018•Përditësim: 16 Mars 2018
MOSKË (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov tha se disa diplomatë britanikë do të dëbohen nga Rusia si hakmarrje për vendimin e Britanisë së Madhe për dëbimin e 23 diplomatëve rusë për shkak të helmimit të ish agjentit rus Sergey Skripal dhe vajzës së tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lavrov në një deklaratë për agjencinë e lajmeve ruse RIA Novosti ka folur për vendimin e Britanisë së Madhe për dëbimin e 23 diplomatëve rusë.
Duke vënë në dukje se Rusia do t’i përgjigjet vendimit në fjalë, Lavrov thotë se “Me siguri se do të dëbojmë disa diplomatë britanikë. Vendimin do ta marrin në një ardhme të afërt”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Mariya Zaharova në një konferencë për media të mbajtur sot tha se akuzat e kryeministres britanike Theresa May ndaj Rusisë janë "të çmendura".
“Londrës i kemi dërguar 4 nota për konsultim të kësaj çështjeje por nuk morëm përgjigjet e nevojshme. Sigurisht që do të ketë hakmarrje kundër qëndrimit armiqësor të Britanisë së Madhe”, thotë Zaharova.
Sergei Skripal dhe vajza e tij u gjetën pa vetëdije në një stol publik më 4 mars pasi kishin qëndruar në një restorant dhe pijetore. Më shumë se 20 persona, përfshirë një oficer policie u dërguan në spital.
Kryeministrja britanike, Theresa May, të mërkurën paralajmëroi një sërë masash, përfshirë dëbimin e diplomatëve rusë, bojkotimin e Kampionatit Botëror "Rusi 2018" nga ana e familjes mbretërore dhe ministrave të qeverisë si dhe heqjen e një ftese për ministrin e Jashtëm të Rusisë.
Ajo tha se për sulmin Rusia ishte “fajtore”.
Rusia humbi një afat nga Londra, që iu dha deri të martën në mesnatë për të shpjeguar se si agjenti nervor Novichok ishte përdorur në sulm.
“Mirëpo, përgjigjja e tyre ka treguar mospërfillje të plotë për seriozitetin e këtyre ngjarjeve. Ata nuk kanë dhënë asnjë shpjegim të besueshëm që mund të sugjeronte se ata humbën kontrollin e agjentit të tyre nervor”, tha May.
Incidenti është krahasuar me vdekjen e ish-agjentit të KGB-së, Alexander Litvinenko në vitin 2006, pasi u helmua me një substancë radioaktive në një hotel në Londër. Ish-truprojat e KGB-së të identifikuar si të dyshuar në vrasje mohuan ndonjë përfshirje.
Skripal-it iu dha strehim në Britani pas një shkëmbimi spiunësh të vitit 2010 midis SHBA-ve dhe Rusisë. Para shkëmbimit, ai ishte në vuajtje të dënimit me 13 vite burg për rrjedhje të informacioneve ndaj inteligjencës britanike.