Gamze Türkoğlu Oğuz
02 Gusht 2018•Përditësim: 02 Gusht 2018
BOGOTA (AA) - Servisi në gjuhën spanjolle i agjencisë shtetërore të lajmeve të Turqisë, Anadolu Agency (AA), që është një nga agjencitë më të rëndësishme dhe aktive në botë, shnëoi njëvjetorin e hapjes në Kolumbi.
Krahas stafit në qendrën e redaksisë në gjuhën spanjolle në Bogota, e cila u hap vitin e kaluar më 1 gusht, servisi në këtë gjuhë ka gazetarë edhe në Spanjë, SHBA, Turqi, Izrael dhe gjithë Amerikën Latine.
Ekipi i Bogotas mbetet i lidhur me rrjetin global të agjencisë që transmeton lajme në 13 gjuhë, përfshirë gjuhën shqipe, dhe ka korrespodentë në 86 vende.
Një nga synimet kryesore të qendrës në Bogota është ndërtimi i urave në mënyrë që të ofrojë informacione të dorës së parë për realitetet komplekse të Turqisë dhe botës arabe dhe muslimane për spanjishtfolësit. Në të njëjtën kohë, redaksia informon pjesën tjetër të botës për ngjarjet aktuale në botën spanjolle.
Përtej këmbimit të lajmeve, qëllimi i zyrës është t'i bashkojë shoqëritë, të rrisë interesin në vendet e largëta të botës dhe të largojë stereotipat.
Që nga hapja e saj, servisi në gjuhën spanjolle ka publikuar mbi 12.000 artikuj të lajmeve, 8.000 fotografi dhe mbi 1.300 video nga sfera e politikës, ekonomisë, sportit dhe kulturës.
Kjo redaksi po ashtu ka botuar analiza të ndryshme të ekspertëve dhe infografikë mbi tema të ndryshme. Përmbajtja e saj ka pasur një ndikim të thellë në mediat e ndryshme në Kolumbi, ndërsa agjencia është duke ndimuar që kjo zyrë ta pasurojë tutje repertorin e lajmeve.
Këtë vit, AA ka mbuluar të gjitha ngjarjet kryesore në rajon, duke përfshirë krizat e migrimit, skandalet e korrupsionit, zgjedhjet presidenciale dhe fatkeqësitë natyrore. Ajo gjithashtu është fokusuar në ofrimin e një serë lajmesh speciale, intervistash dhe tregimesh të interesit njerëzor për abonentët e saj dhe publikun e gjerë.
Në të ardhmen, servisi spanjoll planifikon të zgjerojë mbulimin e lajmeve, teksa vazhdon të ndërtojë ura të reja midis vendeve dhe kulturave që tani nuk janë shumë të largëta.
E themeluar në vitin 1920, AA së shpejti do të shënojë 100 vjetorin e saj. Si agjenci globale, ajo prodhon mesatarisht 1.384 lajme, 4.000 fotografi, 400 video dhe gjashtë infografikë në ditë për abonentët e saj ndërkombëtarë.
Në vitin 2017, agjencia hapi zyrat e saj në gjuhët spanjolle dhe indoneziane, të cilat fliten nga 750 milionë njerëz në mbarë botën.