Övünç Kutlu
11 Nëntor 2021•Përditësim: 11 Nëntor 2021
Deficiti i buxhetit federal të SHBA-së ishte 165 miliardë dollarë në tetor, njoftoi Departamenti i Thesarit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Raporti tregon për një rënie prej 42 për qind nga i njëjti muaj i vitit të kaluar kur deficiti buxhetor ishte 284 miliardë dollarë.
Për tetorin, të hyrat totale ishin 284 miliardë dollarë, kundrejt shpenzimeve totale prej 449 miliardë dollarësh, treguan shifrat e agjencisë.
Sa i përket arkëtimeve, taksat mbi të ardhurat individuale ishin 144 miliardë dollarë, ndërsa sigurimet shoqërore dhe pensionet arritën në 100 miliardë dollarë.
Sa i përket shpenzimeve, sigurimet sociale ishin 96 miliardë dollarë, siguria e të ardhurave dhe shëndeti ishin 70 miliardë dollarë secila ndërsa mbrojtja kombëtare arriti në 69 miliardë dollarë.
Për vitin fiskal 2021, i cili zgjat nga 1 tetori 2020, deri më 30 shtator 2021, deficiti buxhetor u rrit në 2.77 trilionë dollarë, shifra e dytë më e lartë rekorde pas 3.13 trilionë dollarëve gjatë vitit fiskal 2020.