Kasım İleri
22 Nëntor 2018•Përditësim: 22 Nëntor 2018
WASHINGTON (AA) - Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, deklaroi se SHBA do të krijojë pika vëzhgimi në disa vende përgjatë kufirit verior të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mattis ka zhvilluar një takim me gazetarët në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes (Pentagon) me ç'rast ka thënë: "Turqia është partnere e NATO-s. Ata kanë shqetësime legjitime nga kërcënimi i terrorizmit me burim Sirinë e regjimit të Asadit".
"Turqia, si një vend i NATO-s e vendosur në kufi me Sirinë ka shumë arsye që të jetë e shqetësuar. Ne të gjitha këto shqetësime i trajtojmë seriozisht. Ne po krijojmë disa pika vëzhgimi në disa rajone të ndryshme në veri të Sirisë. Kjo tani është një ndryshim. Ne do të formojmë pika vëzhgimi në disa vende përgjatë kufirit verior të Sirisë, sepse të paktën duam të paralajmërojmë turqit kur shohim diçka nga zona jonë e veprimtarisë. Në këtë drejtim ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me Turqinë", tha Mattis për të shtuar më tej:
"Konsultohemi nga afër për këtë çështje me Turqinë. Si ushtria ashtu edhe Departamenti i Jashtëm po konsultohen me ato. Dhe ne do të përpiqemi të ndjekim çdo kërcënim që mund të shfaqet dhe mund të dalë kundrejt Turqisë". Ai tha se Asadi me ndihmën e Rusisë dhe Iranit kryen masakra në vendin e tij.
Pasi ka bërë të ditur se pikat e vëzhgimit që do të formojnë do të jenë në pozicione të qarta për t'u dalluar natën dhe ditën, Mattis tha: "Do të kemi shumë bisedime me ushtrinë turke përballë kufirit. Do të ketë zona të shënuara që do të jenë të qarta natën dhe ditën. Në këtë mënyrë turqit do të shikojnë plotësisht në mënyrë të qartë pozicionin ku ne ndodhemi".
Lidhur me arsyen për formimin e pikave të vëzhgimit, Mattis tha se: "Kjo është projektuar për të siguruar mos-tërheqjen e atyre që luftuan në Luginën e Mesme të Eufratit dhe për të vazhduar që t'i jepet fund pjesës tjetër të kalifatit gjeografik. Teksa armiku bllokohet në një zonë të vogël, ata forcojnë edhe më shumë territoret nën kontrollin e tyre dhe sigurisht ka një luftë të vështirë siç e kemi deklaruar disa muaj më parë".