Ekip
31 Tetor 2022•Përditësim: 31 Tetor 2022
SHBA-ja planifikon të dislokojë bombarduesit e saj B-52 me armë bërthamore në Australinë veriore mes tensioneve me Kinën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Washingtoni planifikon të dislokojë gjashtë bombardues B-52 në bazën ajrore Tindal, në jug të Darvinit, raportoi ABC News.
"Mundësia e dislokimit të bombarduesve të Forcave Ajrore të SHBA-së në Australi u dërgon një mesazh të fortë kundërshtarëve në lidhje me aftësinë tonë për të planifikuar fuqinë ajrore vdekjeprurëse", citoi transmetuesi deklaratën e Forcave Ajrore të SHBA-së.
Ekspertët e sigurisë besojnë se kjo lëvizje është një paralajmërim për Kinën nëse ajo tenton ndonjë sulm ndaj Tajvanit.
"Vendosja e bombarduesve që mund të lëvizin dhe potencialisht të sulmojnë Kinën kontinentale mund të jetë shumë e rëndësishme për t'i dërguar një sinjal Kinës se çdo veprim i saj mbi Tajvanin gjithashtu mund të zgjerohet më tej", tha Becca Wasser nga Qendra për Sigurinë e Re Amerikane.
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, nuk e mohoi informatën, por refuzoi të ndajë ndonjë detaj me mediat.
“Ne angazhohemi herë pas here me miqtë tanë në aleancën amerikane. Ka vizita në Australi, duke përfshirë atë në Darvin, ku është stacionuar marina amerikane me rotacion”, u tha kryeministri australian gazetarëve, ndërsa iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me dislokimin e avionëve luftarak B-52.