Umar Farooq
14 Mars 2019•Përditësim: 14 Mars 2019
Senati i SHBA-së mbrëmë miratoi aktin i cili i bën thirrje administratës së presidentit amerikan Donald Trump që t'i japë fund mbështetjes të koalicionit pro-saudit e cila është përfshirë në luftën në Jemen, raporton Anadolu Agency (AA).
Vendimi u votua me 54 vota për dhe 46 kundër, pavarësisht se në Dhomën e Lartë të Kongresit republikanët e Trumpit kanë një epërsi të butë.
Kjo është hera e dytë në katër muaj që në Kongres të miratohet një vendim i cili kërkon ndërprerjen e pjesëmarrjes indirekte të SHBA-së në luftën në Jemen.
Iniciator i një miratimi të tillë ishte senatori Bernie Sanders, i cili ka paralajmëruar se do të kandidohet për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
"Pjesëmarrja e SHBA-së në luftën në Jemen nuk ka miratimin e Kongresit dhe prandaj është jolegale dhe jokushtetuese", ka thënë Sanders në Twitter.
Jemeni vazhdon të mbetet i shkatërruar nga dhuna që nga viti 2014, kur rebelët shiit Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.
Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015 kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj sunitë-arabë filluan sulmet ajrore ndaj pozicioneve kryengritëse.
Dhuna në vazhdim ka shkatërruar infrastrukturën e Jemenit, përfshirë sistemet e ujit dhe kanalizimeve, duke bërë që OKB-ja ta përshkruajë situatën si “një nga fatkeqësitë më të mëdha humanitare të kohëve moderne”.