Tufan Aktaş,Hodan Mohamed
14 Korrik 2023•Përditësim: 15 Korrik 2023
HODAN MOHAMED
Pavarësisht kushteve negative ekonomike të shkaktuara nga thatësira dhe kriza e sigurisë në Somali, gratë arrijnë të qëndrojnë në qendër të jetës së biznesit.
Një nga sektorët në të cilin gratë punojnë në linja të ndryshme biznesi në kryeqytetin Mogadishu është sektori i administrimit të biznesit. Gratë somaleze, të cilat morën përgjegjësinë për t'u kujdesur për familjet e tyre pas luftës civile, kanë tejkaluar burrat në biznes dhe tregti.
Sipas të dhënave të Byrosë Kombëtare të Statistikave të Somalisë, 56.7 për qind e bizneseve të vogla në vend janë në pronësi të grave, krahasuar me 35.4 për qind nga burrat. Shkalla e ndërmarrjeve në të cilat burrat dhe gratë punojnë së bashku është 7.9 për qind.

Kryetarja e Shoqatës së Grave të rajonit Banadir, Jawahir Mohamud Barqab që vepron në Mogadishu në një prononcim për Anadolu tha se gratë dominojnë të gjitha bizneset e vogla në Somali. Ajo tha se gratë marrin pjesë në grupe të ndryshme profesionale.
"Shumica e operatorëve të biznesit të vogël në tregje dhe pazare në Somali janë gra. Ne punojmë në veshje, ushqime, artizanat, parukeri, kafene, restorante dhe madje edhe në argjendari", theksoi ajo. Duke përmendur vështirësitë me të cilat ballafaqohen gratë si sipërmarrëse, Jawahir tha se më së shumti kishin nevojë për stimuj dhe kredi.
"Unë rrita fëmijët e mi"
Maryan Muhammed Osman, e cila shet rroba në tregun Hamarweyne dhe është nënë e 6 fëmijëve, tha se vështirësia më e madhe që kishte përjetuar ishte pamundësia për të paguar qiranë vjetore me para në dorë.

Ajo shtoi se këtë punë e bën që nga fillimi i luftës civile në vitet 1990 dhe ka kontribuar për familjen e saj. "Duke punuar në këtë treg i kam rritur fëmijët dhe i kam edukuar. Tani më i vogli është 15 vjeç. Këtu shes në rrugë, nuk kam dyqan", u shpreh Maryan.
"Ti je vajzë, nuk mund ta bësh"
Amino Hosein, 23-vjeçare, një nga tregtaret që shet ushqime, veshje dhe kozmetikë, tha se ajo vazhdon të bëjë punën e saj pavarësisht fjalëve negative.

"Unë e fillova këtë punë 3 vjet më parë. Në fillim, shumica e njerëzve më thanë: 'Kjo punë nuk është e përshtatshme për ty. Ti je vajzë, nuk mund ta bësh", tha Amino.
Duke u shprehur se ekziston një ide e gabuar se gratë nuk mund të jenë të suksesshme, Amino u shpreh se beson në suksesin e grave. Në rrugët e kryeqytetit Mogadishu, shumë gra, të reja e të moshuara punojnë si shitëse.