Övünç Kutlu
28 Korrik 2017•Përditësim: 28 Korrik 2017
NEW YORK (AA) - Kompania e kafesë "Starbucks" bëri të ditur se do të mbyllë të gjitha shitoret e çajit “Teavana”, një veprim që pritet të ndikojë negativisht mbi 3.000 të punësuar të saj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim të kompanisë thuhet se 379 shitoret e saj do të mbyllen vitin e ardhshëm, pjesa më e madhe në pranverë.
"Rreth 3.300 partnerë të cilët do të preken nga këto mbyllje, do të marrin mundësi për të aplikuar për pozita në dyqanet e Starbucks", thuhet në njoftim.
Kompania tha më tej se planifikon që në pesë vitet e ardhshme të hapë 240 mijë vende të reja pune anembanë botës dhe 68 mijë të tjera në Shtetet e Bashuara të Amerikës (SHBA).
"Starbucks" bleu brendin "Teavana" në vitin 2012 pë një shumë prej 620 milionë dollarë.
Kompania me seli në Seattle, synon të përqendrojë biznesin e vet në Kinë, për çka tha se planifikon të marrë 100 për qind të pronësisë të 1300 shitoreve "Starbucks" në Shanghai dhe në provincat Jiangsu dhe Zhejiang.
Drejtori i Përgjithshëm i "Starbucks", Kevin Johnson, tha se kompania planifikon që deri në vitin 2021 të operojë në mbi 5000 shitore në Kinë.