Şerife Çetin
08 Nëntor 2017•Përditësim: 08 Nëntor 2017
BRUKSEL (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se në përputhje me situatën aktuale, nevojitet përditësimi i strukturave komanduese të NATO-s, ashtu që kjo organizatë të mund të përballet me sfidat e përditshme dhe shqetësimet e sigurisë në Evropë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Bruksel sot fillon takimi dy ditor i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, ndërsa Stoltenberg pak para fillimit të takimit tha se ky do të jetë edhe një lloj i parapërgatitjes të Samitit të udhëheqësve të NATO-s që do të mbahet vitin e ardhshëm.
Stoltenberg tha se NATO do të vazhdojë të punojë drejt krijimit të një bote më të sigurtë përballë sfidave që ka sjellë shekulli 21.
Ai e quajti strukturën komanduese të NATO-s si boshti kurrizor i kësaj organizate dhe paralajmëroi se ministrat përkatës të vendeve anëtare në takimin e Brukselit do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje mbi përditësimin e nevojshëm të saj.
Në këtë kontekst, ai paralajmëroi hapjen e dy qendrave të reja komanduese të cilat do të kujdesen për lidhjen detare midis Amerikës së Veriut dhe Evropës dhe do të angazhohen për lehtësimin e veprimit të forcave të NATO-s në Evropë. Nuk dihet se në cilat vende këto qendra do të hapen.
"Në këtë proces, do të punojmë ngushtë me shtetet anëtare, sektorin privat dhe Bashkimin Evropian", tha Stoltenberg.
Ministrat e NATO-s në Bruksel do të diskutojnë gjithashtu edhe rreth krizës aktuale lidhur me kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut, ndërsa Stoltenberg tha se në këtë kontekst duhet të zbatohen plotësisht rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
"Rusia dhe Kina kanë një përgjegjësi të madhe sa i përket problemit në fjalë, sepse ata janë dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe dy vende fqinje të Koresë së Veriut", tha Stoltenberg, duke shtuar se të gjithë anëtarët e NATO-s janë në pajtim për vazhdimin e domosdoshëm të presionit politik dhe ekonomik ndaj autoriteteve të Koresë së Veriut.
Në vijim të takimit, ministrat do të diskutojnë nesër rreth situatës në Afganistan, ndërsa Stoltenberg tha se NATO do të vazhdojë të intensifikojë praninë e elementeve jo luftarake në atë vend.
"Situata e sigurisë në Afganistan mbetet shumë e ndjeshme. Megjithatë, forcat afgane të sigurisë po bëjnë përparim të mirë në parandalimin e militantëve talebanë nga arritja e qëllimeve të tyre strategjike", tha Stoltenberg.
Lufta kundër organizatave terroriste është edhe një nga temat që ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë nesër në Bruksel.
Në takim gjithashtu do të marrë pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ndërkaq kjo do të jetë mundësia për shumë bisedime dypalëshe dhe shumëpalëshe midis ministrave në margjina të ngjarjes kryesore.