Ekip
17 Nëntor 2021•Përditësim: 18 Nëntor 2021
Grupet sudaneze kanë bërë thirrje për tubime masive për të kërkuar sundimin civil në vend mes tensioneve nga muaji i kaluar pas marrjes së kontrollit të vendit nga ushtria, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Populli do të vazhdojë protestën për t’ua dorëzuar pushtetin civilëve dhe për të mposhtur grusht shtetin", tha në një njoftim grupi Forcat për Liri dhe Ndryshim (FFC).
Shoqata e Profesionalistëve Sudanezë, e cila udhëhoqi protestat që çuan në përmbysjen e presidentit Omar al-Bashir në vitin 2019, si dhe Partia e Kongresit Sudanez po ashtu apeluan për pjesëmarrje masive në protestat që planifikohet të mbahen në ditën e sotme.
Thirrjet vijnë pasi autoritetet sudaneze mbyllën katër ura kyçe në kryeqytetin Khartoum në pritje të protestave të planifikuara.
Më 25 tetor, kreu i këshillit ushtarak në pushtet i Sudanit, gjeneral Abdel Fattah al-Burhan, shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe shpërndau Këshillin Sovran dhe qeverinë kalimtare mes protestave rivale dhe akuzave midis ushtrisë dhe politikanëve në vend.
Al-Burhan këmbënguli se masat synojnë të mbrojnë vendin nga një "rrezik i menjëhershëm" dhe ata që refuzonin masën e tij i akuzoi se "nxisin kaos".
Javën e kaluar, al-Burhan lëshoi një dekret për të formuar një këshill të ri kalimtar qeverisës, duke e emëruar veten në krye të këtij këshilli.
Para marrjes së pushtetit, Sudani administrohej nga një këshill sovran nga zyrtarë ushtarak dhe civil, i cili po mbikëqyrte një periudhë kalimtare deri në zgjedhjet e planifikuara të vitit 2023 në kuadër të një pakti të pasigurt për ndarjen e pushtetit midis ushtrisë dhe FFC-së.