Sulmi ndaj bazës ushtarake në Afganistan, 140 të vrarë
Nënkryetari i Këshillit Provincial në Belh, Shujauddin Shuja tha se në sulm janë vrarë 140 pjesëtarë të forcave të sigurisë ndërsa janë plagosur afërsisht 150 të tjerë
Sayed Khodaberdi Sadat
22 Prill 2017•Përditësim: 23 Prill 2017
Mezar-i Sharif
MEZAR-I SHERIF (AA) - Si pasojë e një sulmi të ndërmarrë ndaj Komandës 209 të pjesëtarëve të sigurisë në rajonin Belh në veri të Afganistanit thuhet se 140 punonjës të sigurisë janë vrarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Nënkryetari i Këshillit Provincial në Belh, Shujauddin Shuja në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se në sulm janë vrarë 140 pjesëtarë të forcave të sigurisë ndërsa janë plagosur afërsisht 150 të tjerë.
Duke vënë në dukje shqetësimin se kjo shifër mund të rritet Shuja ka bërë të ditur se drejtori i shëndetësisë në Belh Mirvais Rabi ka thënë se disa nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.
Ndërsa një ushtar me detyrë në komandë i cili nuk deshi të zbulojë identitetin në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se 10 sulmuesit kanë kaluar nga dera 1 dhe 2 e bazës me automjete ushtarake dhe kanë nisur të hapin zjarr përreth, ku si pasojë kanë humbur jetën një numër i madh i punonjësve të sigurisë të cilët ndodheshin në xhami dhe në menzë.
"Disa nga sulmuesit kanë patur mbi trup edhe jelekë me bomba kamikazë. Ende nuk mund ta perceptoj se si kanë mundur të hyjnë në një zonë të tillë me siguri të rreptë", ka thënë ushtari.
Ndërsa edhe nënkryetari i Këshillit Provincial në Belh, Hashim Azimi ka tha se "Kryerja e një krimi të tillë ndoshta është planifikuar që një muaj më parë. Ajo që është e çuditshme është se më parë ndaj autoriteteve të bazës kanë ardhur paralajmërimet se do të kryhej një sulm, ku pavarësisht kësaj nuk janë marrë masat".
Duke bërë të ditur se organizatat terroriste po përpiqen të trazojnë rajonin Belh që është një prej rajoneve më të sigurta të Afganistanit, Azimi ka nënvizuar se me ngrohjen e motit do të përballen edhe me më shumë sulme nëse nuk ndërmerren operacione serioze kundër kësaj.
Analisti politik Atikullah Amarkhil në lidhje me sulmin ka thënë se "Nëse nuk do të kenë gisht disa nga autoritetet brenda bazës apo nga ushtarët tek dera është e pamundur të kryhej sulmi". Ai tha se talebanët në kohët e fundit kanë nisur të vendosin në objektiv bazat ushtarake për të përhapur frikë.
Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Muxhahit, duke marrë përsipër autorësinë e sulmit ka pretenduar se kanë kryer vëzhgime më parë nëpërmjet 4 ushtarëve me detyrë në bazën ushtarake.
Sulmi ndaj bazës ushtarake në Afganistan, 140 të vrarë