Gökhan Kurtaran
23 Maj 2017•Përditësim: 24 Maj 2017
LONDËR (AA) – Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, pas seancës së jashtëzakonshme që u mbajt për shkak të sulmit të mbrëmshëm terrorist në Manchester, deklaroi se policia ka zbuluar identitetin e sulmuesit, porse nuk do të shpalos në opinion për shkak të rrjedhës së hetimit, raporton Anadolu Agency (AA).
"E dimë se sulmi i mbrëmshëm u krye me mjet shpërthyes të një terroristi që u aktivizua në njërën nga hyrjet e sallës së koncertit për të derdhur gjakun e njerëzve të pafajshëm", deklaroi May.
Duke theksuar se në koncertin, i cili ishte objektiv i sulmit, kanë qenë një numër i madh i fëmijëve dhe të rinjve, kryeministrja May tha se të gjitha sulmet terroriste janë sulme qyqare ndaj njerëzve të pafajshëm, porse sulmi i mbrëmshëm i ngjason burracakërisë, pabesisë dhe barbarizmit. Duke konfirmuar informacionin se në sulmin e mbrëmshëm janë vrarë së paku 22 persona, May tha se mes 59 të plagosurve ka shumë në rrezik për jetën.
"Forcat policore konsiderojnë se sulmi është vepër e një sulmuesi, por nevojitet të zbulohen të gjitha detajet edhe atë nëse kjo ka qenë akt vetëm i një sulmuesi ose është involvuar një grup më i madh. Hetimi do të zgjasë", tha May.
Ajo tha se gjatë ditës edhe personalisht do të vizitojë Manchesterin dhe vendin ku ndodhi sulmi. Kryeministrja May paralajmëroi opinionin se kërcënimi terrorist është në nivel serioz, që do të thotë se ekziston rrezik i madh për sulm terrorist.
Para përfundimit të koncertit të pop yllit Ariana Grande në Manchester Arena mbrëmë ndodhi një shpërthim i fuqishëm në të cilin humbën jetën të paktën 22 persona, ndërsa 59 të tjerë u plagosën.
Ndërkohë organizata terroriste DEASH ka marrë përsipër sulmin në sallën e koncerteve Arena në Manchester të Britanisë së Madhe. Një llogari në rrjetet sociale e cila njihet si e organizatës terroriste, ka publikuar mesazhin se një person ka përdorur më shumë se një bombë në këtë sulm. Policia britanike ka arrestuar një 23 vjeçar të dyshuar për lidhje me sulmin e mbrëmshëm terrorist.