Zehra Ulucak
18 Prill 2018•Përditësim: 19 Prill 2018
ANKARA (AA) - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, konfirmoi se drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, i cili është propozuar për t'u emëruar në detyrën e sekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ka qenë në Korenë e Veriut këtë muaj dhe është takuar me liderin e vendit, Kim Jong-un, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trump në një postim nga llogaria e tij Twiter ka theksuar se Pompeo është takuar javën e shkuar me liderin e Koresë së Veriut.
"Është formuar një marrëdhënie e mirë. Po punohet mbi detajet e samitit. Asgjësimi i armëve nukleare do të jetë një gjë e shkëlqyer për botën, por po ashtu edhe për Korenë e Veriut", është shprehur Trump, duke njoftuar se takimi është zhvilluar pa probleme.
Gazeta "Washington Post" kishte njoftuar për zyrtarin e lartë i cili ka shkuar në Korenë e Veriut dhe është takuar me Kim Jong-un, ku ajo ka pohuar se Mike Pompeo ka vizituar Phenianin gjatë pushimit të pashkëve të dielën e parë të muajit prill, kur ai ndodhej në detyrën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).
Udhëtimi i Mike Pompeos në Korenë e Veriut konsiderohet një prej dy takimeve të nivelit të lartë mes dy vendeve pas atij të ish-sekretares së Departamentit Amerikan të Shtetit, Madeleine Albright, e cila u takua në vitin 2000 me Kim Jong-il, babain e liderit Kim Jong-un.
Duke folur në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë javën e kaluar para miratimit si kryediplomat i SHBA-ve, Pompeo, tha se ai nuk mbështeste ndryshimin e regjimit në Korenë e Veriut.
Ndër të tjera, Pompeo kishte shprehur optimizëm se udhëheqësit e SHBA-ve dhe Koresë së Veriut do të mund të krijojnë kushte të favorshme për bisedimet e tyre mbi një zgjidhje diplomatike që amerikanët dhe bota kanë më shumë nevojë.
Po ashtu, presidenti Trump gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp në Florida me kryeministrin japonez, Shinzo Abe ka thënë se "me padurim" po pret të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, dhe se "kanë filluar bisedime të drejtpërdrejta në nivele shumë të larta në Korenë e Veriut".