Övünç Kutlu
23 Mars 2018•Përditësim: 23 Mars 2018
NEW YORK (AA) - Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i ka dhënë fund detyrës së Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Gjeneral Lejtnant Herbert Raymond McMaster, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë thuhet se McMaster, i cili ka rënë dakord në mënyrë reciproke me Trump, do të japë dorëheqje nga detyra e tij.
Sipas deklaratës, Trump ka kërkuar nga McMaster të vazhdojë detyrën deri në mes të muajit të ardhshëm në mënyrë që të ketë një periudhë të lehtë tranzicioni, ndërsa McMaster e ka pranuar këtë kërkesë.
Shtëpia e Bardhë po ashtu njoftoi se në vend të McMaster do të vie ish-përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së në OKB, John Bolton.
Trump ka falënderuar McMasterin për shërbimet e ofruara për vendin, duke shtuar se SHBA ka ruajtur përparësinë e saj ekonomike dhe ushtarake në saje të sukseseve të tij.
Ndërkaq, McMaster përmes një deklaratate bëri të ditur se pas 34 viteve shërbime, këtë verë do të pensionohet nga ushtria amerikane.
Edhe pse në mediumet amerikane janë publikuar lajme për shkarkimin e McMaster, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders javën e kaluar në Twitter kishte përgënjeshtruar pohimet për dëbimin e tij.
Këshilltari i parë i Sigurisë Kombëtare i presidentit Trump, Michael Flynn, kishte dhënë dorëheqje më 13 shkurt të vitit 2017 me arsyetimin se "ka gënjyer" për hetimin në lidhje me Rusinë, ndërsa në vend të tij ishte caktuar McMaster.
Ndërkaq, Bolton, i cili do të vie në vend të McMaster, ka qenë përfaqësues i përhershëm në OKB në periudhën 2005-2006.
Mediumet amerikane theksojne se John Bolton, i cili pritet të marrë detyrën më 9 prill, është takuar shpesh me Donald Trump për të diskutuar në lidhje me politikën e jashtme. Po ashtu, thuhet se të dy dje kanë realizuar një takim në Shtëpinë e Bardhë.