Mustafa Melih Ahıshalı
02 Tetor 2017•Përditësim: 03 Tetor 2017
TEHERAN (AA) - Turqia dhe Irani do ta zhvillojnë bashkëpunimin e tyre në fushën ushtarake kundër kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale, tha të hënën Shefi i Shtatmadhorisë së Turqisë Hulusi Akar, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Iran, raporton Anadolu Agency (AA).
"Turqia dhe Irani janë dy shtete me miqësi qindravjeçare dhe vlera të përbashkëta. Në kuadër të këtyre vlerave të përbashkëta, ne po zhvillojmë bashkëpunimin tonë kundër kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale", tha Akar në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me homologun e tij iranian Muhamed Bakiri, në selinë e Shtatmadhorisë së Iranit në Teheran.
"Krahas marrëdhënieve tona politike dhe ekonomike, ne po zhvillojmë edhe marrëdhëniet ushtarake. Veçanërisht, ne kemi rënë dakord për luftën kundër terrorizmit dhe sigurinë kufitare në periudhën në vijim", deklaroi Akar.
Ndërkaq, Shefi i Shtatmadhorisë së Iranit, Bakiri, tha se gjatë takimit kokë më kokë dhe mes delegacioneve është diskutuar lidhur me zhvillimet që përbëjnë rrezik për dy shtetet, duke shtuar se të dy shtetet kanë qëndrim të përbashkët lidhur me referendumin jolegjitim të mbajtur nga Administrata Rajonale Kurde në Veri të Irakut (ARK).
"Ne kemi mendime të përbashkëta për sa i përket integritetit territorial të Irakut dhe mospranimit të referendumit. Shkëmbyem mendime lidhur me luftën e ushtrisë së Irakut dhe Sirisë kundër DEASH-it dhe për vendosjen e sa më parë të paqes dhe sigurisë në këto dy shtete", tha Bakiri.
"Folëm për rritjen e bashkëpunimit mes forcave të armatosura të të dy vendeve dhe vendeve islame", theksoi Bakiri, duke shtuar se kanë folur edhe për Mianmarin dhe problemet e ngjashme me të, për të cilin kanë këmbyer mendime në mënyrë që, siç tha ai, zhvillimet e tilla të mos përsëriten në vendet islame dhe në vende e tjera.
Duke nënvizuar se dy vendet do t'i avancojnë marrëdhëniet në fushën ushtarake, Bakiri tha: "Biseduam për trajnime ushtarake, stërvitje dhe ndarjen e përvojave. Këto tema dhe më tepër do të diskutohen edhe gjatë vizitës së presidentit Recep Tayyip Erdoğan në Iran."
Ndryshe, gjatë vizitës së tij zyrtare në Iran, Akar pritet të takohet edhe me Presidentin iranian Hasan Ruhani, sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Lartë Kombëtar të Sigurisë së Iranit Ali Shemhani dhe ministrin e Mbrojtjes Emir Hatemi.