Riyaz Khaliq Khaliq
09 Korrik 2021•Përditësim: 09 Korrik 2021
Policia që heton vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moise, ka kapur të dyshuarit nga brenda ambienteve të Ambasadës së Tajvanit në vendin e Karaibeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ambasada përmes një deklarate tha se policia e Haitit të enjten "hyri në Ambasadë për të ndjekur të dyshuarit".
“Policia nisi një operacion rreth orës 16:00 sipas kohës lokale dhe arrestoi me sukses 11 të dyshuar. Procesi shkoi normalisht”, tha ambasada.
Tajvani, të cilën Kina e konsideron si "provincë të shkëputur", ka marrëdhënie të plota diplomatike me të paktën 15 vende, përfshirë edhe Haitin.
Presidenti Moise u vra të mërkurën në një sulm të armatosur në rezidencën e tij private në kryeqytetin Port-au-Prince nga një grup personash të armatosur për të cilët autoritetet thonë se flisnin spanjisht dhe anglisht.
Zonja e parë e Haitit, Martine Moise, e cila u plagos në sulm, u dërgua në një spital në Miami të Floridas, ku po trajtohet.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Tajvanit, Joanne Ou në Taipei i tha të përditshmes "Taiwan News" se: "Ekipi i ambasadës zbuloi se një bandë personash të armatosur kishin shkelur perimetrin e sigurisë së objektit".
"Personat kishin arritur të kalonin nëpër stacionin e rojeve të sigurisë dhe hynë në oborrin e ambasadës. Me të zbuluar shkeljen, personeli i sigurimit njoftoi menjëherë policinë haitiane", shtoi ai. Ambientet e ambasadës ishin të mbyllura.
Ambasada e quajti atentatin "mizor dhe barbar".
Policia haitiane tashmë ka arrestuar 17 të dyshuar për vrasjen, përfshirë dy amerikanë të Haitit dhe 15 kolumbianë.
Grupi i personave që vranë presidentin Moise ishte i përbërë nga dy amerikanë dhe 26 kolumbianë, tha të enjten shefi i policisë.
Autoritetet kanë nisur hetime se si të dyshuarit mbërritën në vend, por është e mundur që ata të kenë hyrë përmes kufirit me Republikën Dominikane.
Ngjarjet e fundit e kanë zhytur vendin në një krizë të udhëheqjes. Moise, 53-vjeç mori detyrën në vitin 2017 pas zgjedhjeve të kontestuara. Pas dështimit për të mbajtur zgjedhjet, opozita kishte kërkuar dorëheqjen e tij.
Vetëm një ditë para vrasjes së tij, Moise kishte emëruar një kryeministër të ri, i cili pritej të merrte detyrën këtë javë. Haiti ka planifikuar të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe legjislative më 26 shtator.