Andrew Wasike ,Mevlüt Özkan
07 Korrik 2025•Përditësim: 07 Korrik 2025
Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut në Kenia ka bërë të ditur se të paktën dhjetë persona humbën jetën dhe 29 të tjerë janë plagosur gjatë protestave mbarëkombëtare "Saba Saba" në Kenia, transmeton Anadolu.
Grupi vëzhgues gjithashtu dokumentoi dy raste rrëmbimi dhe 37 arrestime në 17 qarqe.
Sipas grupit, në gjashtë qarqe është raportuar plaçkitje, ndërsa zyra e Fondit për Zhvillimin e Zonës Qendrore të Kerugoya (CDF) u dogj nga persona të dyshuar për akte kriminale.
Të paktën katër persona u vranë të hënën ndërsa protestat kundër qeverisë u përshkallëzuan në mbarë Kenian gjatë demonstratave "Saba Saba", me dhunë të raportuar në pjesë të kryeqytetit Nairobi dhe në qarkun Kajiado.
Sipas transmetuesve lokal KTN dhe Citizen TV, viktimat u regjistruan në zonën Kangemi të Nairobit dhe në qytetin Kitengela në qarkun Kajiado, duke cituar punonjës të urgjencës në terren.
Ekipet e emergjencës thanë se kanë hasur vështirësi për të arritur te të plagosurit në disa pjesë të Kangemit për shkak të barrikadave të ngritura nga protestuesit, duke kufizuar ndjeshëm qasjen e ambulancave.
Demonstratat "Saba Saba", që shënojnë përvjetorin e kryengritjes pro-demokracisë më 7 korrik të vitit 1990 në Kenia, kanë nxjerrë mijëra njerëz në rrugë.
Të ushqyera nga zhgënjimi në rritje për gjendjen e vështirë ekonomike, brutalitetin policor dhe një sërë vdekjesh të fundit në paraburgim, protestat po drejtohen kryesisht nga të rinjtë kenianë.
Dëshmitarët në Kangemi përshkruan përleshje mes forcave të sigurisë dhe protestuesve, me të shtëna armësh.
Në Kitengela, banorët thanë se forcat e sigurisë përdorën municion të vërtetë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat që hidhnin gurë.
Protestat e së hënës në kuadër të "Saba Saba" vijnë në mes të një lëvizjeje më të gjerë kombëtare që kërkon dorëheqjen e Presidentit William Ruto, llogaridhënie nga policia dhe reforma ekonomike.
Kjo trazirë pason vdekjen me shumë jehonë të mësuesit dhe blogerit Albert Ojwang në paraburgim, një ngjarje që ka ndezur zemërim në mbarë vendin.