Emin Avundukluoğlu
02 Nëntor 2016•Përditësim: 02 Nëntor 2016
ANKARA (AA) – Ushtria e Lirë Siriane (ULS) mohon akuzat se luftëtarët e saj kanë vrarë civilë gjatë luftimeve për të thyer rrethimin e regjimit të Bashar al-Asadit në veri të qytetit të Halepit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, ULS tha se luftëtarët e saj kanë në shënjestër vetëm pozitat ushtarake.
“Objektiv i raketave tona janë ushtria, bazat ajrore, bastionet e ushtrisë dhe kazermat”, thuhet në njoftim. Gjithashtu shtohet se regjimi i Asadit po përdorë civilët si mburojë të gjallë, ndërkohë që ka instaluar raketa në zonat e banuara të qytetit duke shkelur kështu parimet kryesore të ligjit humanitar ndërkombëtar.
Në njoftim thuhet gjithashtu se ULS u ka rekomanduar civilëve të shmangin zonat e kontrolluara nga regjimi duke qëndruar në shtëpitë e tyre ose strehimoret.
Siria është përfshirë nga një luftë civile e cila filloi në vitin 2011, kur Bashar al-Asad shtypi me dhunë protestat pro-demokracisë, të cilat shpërthyen si pjesë e kryengritjeve të “Pranverës Arabe”.
Sipas shifrave të OKB-së, prej kur ka filluar lufta rreth 250.000 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë janë zhvendosur.