Ushtria e Malit shkarkon kryeministrin dhe qeverinë
Të shtunën, Maiga u bëri thirrje liderëve ushtarak të vendit të diskutojnë përfundimin e të ashtuquajturës periudhë tranzicioni, në një kritikë të rrallë ndaj juntës në pushtet
Bamako
Lideri ushtarak i Malit ka shkarkuar kryeministrin Choguel Kokalla Maiga dhe qeverinë e vendit disa ditë pasi ai lëshoi një kritikë ndaj sundimtarëve ushtarakë, transmeton Anadolu.
"Detyrat e kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë janë ndërprerë", thuhet në një dekret të nxjerrë nga kolonel Assimi Goita dhe të lexuar në televizionin shtetëror ORTM nga Alfousseyni Diawara, sekretari i përgjithshëm i Presidencës.
Të shtunën, Maiga u bëri thirrje liderëve ushtarakë të vendit të diskutojnë përfundimin e të ashtuquajturës periudhë tranzicioni, në një kritikë të rrallë ndaj juntës në pushtet.
"Tranzicioni duhej të përfundonte më 26 mars të vitit 2024. Por, ai u shty për një kohë të pacaktuar, në mënyrë të njëanshme, pa debat brenda qeverisë", u tha Maiga mbështetësve të lëvizjes së tij M5-RFP në një fjalim.
Mali është qeverisur nga ushtria që nga grusht shtetet e njëpasnjëshme në vitet 2020 dhe 2021.
Në qershor të vitit 2022, junta u zotua të mbajë zgjedhje dhe t'ua kthejë pushtetin civilëve deri në fund të marsit të vitit 2024, por më pas e shtyu votimin për një kohë të pacaktuar.
Që nga viti 2012, Mali është zhytur në krizë politike dhe të sigurisë, e nxitur nga sulmet e disa grupeve të armatosura si dhe nga përleshjet me forcat separatiste në veri të vendit.