Vriten 22 palestinezë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës
Që nga orët e mëngjesit janë bombarduar shtëpitë dhe tendat e palestinezëve

Istanbul
Të paktën 22 palestinezë, shumica fëmijë, u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmet e ushtrisë izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas burimeve shëndetësore dhe dëshmitarëve okularë, ushtria izraelite vazhdoi sulmet në pjesë të ndryshme të Gazës që nga orët e mëngjesit.
Ushtria izraelite bombardoi një shtëpi në perëndim të kampit të refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës ku u vranë 10 palestinezë.
Forcat izraelite bombarduan një shtëpi pranë spitalit "Hamed" në veriperëndim të qytetit të Gazës në veri të Rripit të Gazës. Shtatë persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulm.
Ushtria izraelite nisi sulme intensive me artileri në lagjet Zeytun, Tuffah dhe Shujaiya në lindje dhe jug të qytetit të Gazës.
Zona përreth kampusit universitar në qytetin jugor të Gazës u shënjestrua nga zjarri i artilerisë. Zjarr u hap edhe në pjesët lindore të qytetit.
Trupat e dy personave u nxorën nga rrënojat e një shtëpie që u godit dje në Khan Younis.
Gjithashtu u shënjestruan zonat në veriperëndim të kampit të refugjatëve Bureyj nga njësitë e artilerisë izraelite.