Ekip
02 Prill 2022•Përditësim: 04 Prill 2022
Aktori amerikan Will Smith dha dorëheqjen të premten nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit pasi goditi komikun Chris Rock në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar fundjavën e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Unë do të pranoj plotësisht çdo pasojë për sjelljen time”, tha Smith në një deklaratë.
“Veprimet e mia në prezantimin e edicionit të 94-të të çmimeve Oscar ishin tronditëse, të dhimbshme dhe të pafalshme”, ka shtuar aktori.
Dorëheqja e Smith-it vjen gati një javë pasi ai doli në skenë në ceremoninë Oscars dhe goditi me shuplakë Chris Rock-un për shkak se ai u ofendua për një shaka që komiku bëri për gruan e tij, Jada Pinkett Smith.
Pas shuplakës, Smith i bërtiti Rock-ut: “Mbaje emrin e gruas sime larg nga goja jote”.
“Lista e atyre që kam lënduar është e gjatë dhe përfshin Chris-in, familjen e tij, shumë nga miqtë dhe të dashurit e mi, të gjithë ata që janë të pranishëm dhe audiencën globale në shtëpi”, tha Smith në deklaratë.
“Tradhtova besimin e Akademisë. I privova kandidatët dhe fituesit e tjerë nga mundësia e tyre për të festuar dhe për t'u lavdëruar për punën e tyre të jashtëzakonshme. Jam zemërthyer. Dua ta kthej fokusin tek ata që meritojnë vëmendje për arritjet e tyre dhe të mundësoj që Akademia të kthehet në punën e jashtëzakonshme që bën për të mbështetur krijimtarinë dhe artin në film”, shtoi ai.
Bordi i Guvernatorëve të Akademisë mbajti një takim urgjent këtë javë për të filluar një proces zyrtar rishikimi, në të cilin Smith mund të ishte përballur me pezullim ose përjashtim të mundshëm.
Bordi i Akademisë mblidhet sërish më 15 prill për të përcaktuar pasojat shtesë si pjesë e procesit të shqyrtimit.
Smith tha në fund të deklaratës së tij se ai “do të pranojë çdo pasojë të mëtejshme që Bordi i konsideron të përshtatshme”.
“Ndryshimi kërkon kohë dhe unë jam i përkushtuar të bëj punën për të siguruar që kurrë më të mos lejoj që dhuna të kapërcejë arsyen”, ka theksuar aktori amerikan.