Bekim Laci
06 Shtator 2017•Përditësim: 07 Shtator 2017
SHKUP (AA) - Në organizim të Asociacionit qytetar Most, në Shkup është mbajtur një konferencë në temë “Ndarja e shtetit nga partitë politike”, në të cilën qëndrimet lidhur me këtë temë, i kanë shpalosur kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Samuel Zhbogar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç sqaron organizatori, qëllimi i ngjarjes ka qenë diskutimi i mekanizmave që duhet të kontribuojnë në ndarjen e shtetit nga partitë politike, sidomos para zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen në tetor, përfshirë masat e parashikuara në Planin 3-6-9 të qeverisë për trajtimin e këtij problemi.
Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, në adresimin e tij tha se “ndarja e shtetit nga partitë politike është një fjalë e dhënë, angazhim dhe përkushtim i qeverisë së re të Maqedonisë”.
Zaev tha më tej se pikërisht nga këto arsye, qeveria e tij ka miratuar masa mbrojtëse të cilat do të zbatohen në zgjedhjet lokale të tetorit përmes planit 3-6-9.
Kreu i delegacionit të BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, nga ana e tij, nënvizoi “nevojën e liderëve politikë që përmes zgjedhjeve të ardhshme të konfirmojnë përkushtimin e tyre për vlerat demokratike të sundimit të së drejtës, në mënyrë që zgjedhjet të afrojnë vendin drejt BE-së”.
Kryetari i Most-it, Darko Aleksov tha se mbtetet të shihet se si këto masa do të zbatohen në kontekst të zgjedhjeve lokale, dhe nëse ato do të kontribuojnë në sigurimin e ndarjes së shtetit nga partitë politike.
“Nga ana tjetër, nevojitet një vullnet i fortë politik i të gjitha partive politike për të garantuar pavarësinë e administratës publike si dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe kontributit nga të gjithë aktorët socialë për t'u marrë me këtë çështje”, tha ai.
Në konferencën në fjalë me pikëpamjet e tyre morën pjesë analistë, profesorë universitarë, përfaqësues të partive politike, OJQ-ve por edhe ata nga bashkësia ndërkombëtare.