Recep Şakar
01 Shkurt 2021•Përditësim: 01 Shkurt 2021
Ministrja e Jashtme e Zelandës së Re, Nanaia Mahuta, deklaroi se janë të shqetësuar me grusht shtetin ushtarak në Mianmar dhe arrestimin e presidentit të Shtetit, Win Myint dhe kryetaren e Këshillit të Shtetit, Aung San Suu Kyi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Jashtme e Zelandës së Re bëri të ditur se ministrja Mahuta bëri një vlerësim në lidhje me grusht shtetin dhe arrestimin e zyrtarëve të lartë në Mianmar.
Mahuta duke theksuar se janë "shumë të shqetësuar" në lidhje me grusht shtetin e ushtrisë në Mianmar tha se, "Zgjedhjet u mbajtën dhe duhet të respektohet vullneti demokratik i popullit. Ne mbështesim institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit."
Ajo duke deklaruar se do ta ndjekin nga afër gjendjen në Mianmar, ka bërë thirrje që Win Myint, Aung San Suu Kyi dhe të gjithë figurat politike në vend të lirohen dhe të kthehen sa më parë në qeveri civile.
Grusht shteti dhe gjendje e jashtëzakonshme pas arrestimeve
Sipas njoftimit të ushtrisë, në orët e mëngjesit pasi që u arrestuan disa persona u konfirmuan pretendimet për grusht shteti nga ushtria.
Udhëheqja e vendit është në duart e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, i cili organizoi grusht shtetin me arsyetim se ka pasur mashtrime në zgjedhjet e mbajtura më 8 nëntor 2020.
Bëhet e ditur se pas grusht shtetit në vend do të ketë gjendje të jashtëzakonshme dhe se shteti një vit do të qeveriset me qeverisje ushtarake.
Komisioni Zgjedhor mohoi pretendimet e ushtrisë për mashtrime në zgjedhjet që i fitoi partia e Aung San Suu Kyi në pushtet.
Ndërkaq, në vend ushtria mbështet partinë kryesore opozitare, Partia e Solidaritetit dhe Zhvillimit për Unitet (USDP).