Riyaz Khaliq Khaliq
21 tetor 2026•Përditësim: 21 tetor 2026
Zelanda e Re e rriti sot nivelin e alarmit vullkanik, pas vazhdimit të emetimit të hirit vullkanik në ishullin White, i njohur gjithashtu si Whakaari, transmeton Anadolu.
Instituti i Shkencave të Tokës në Zelandën e Re tha se “nuk ka rreziqe për pjesën kontinentale, përveç erës së squfurit që mund të ndihet dhe rënies së lehtë të hirit”, raportoi Radio Zelanda e Re.
Instituti shtoi se niveli i alarmit për aviacionin është ngritur në ngjyrën portokalli, ose në nivelin III. Whakaari është një stratovullkan aktiv andezitik, i cili ndodhet 48 kilometra larg bregut lindor të Ishullit të Veriut të Zelandës së Re.
“Një shtresë hiri vullkanik mund të shihej përreth grykës aktive në kraterin kryesor, ndërsa një sasi e vogël po ngrihej lart në një kolonë avulli dhe gazrash. Emetimi ishte i dobët dhe nuk kishte shenja se kishte ndodhur ndonjë shpërthim eksploziv”, tha Instituti.
"Ky aktivitet mund të vazhdojë për javë të tëra. Megjithatë, mundësia e ndonjë ndikimi të konsiderueshëm në pjesën kontinentale mbetet shumë e ulët”, shtoi Instituti.
Sipas tij, niveli i aktivitetit vullkanik duhet të rritet ndjeshëm që kjo mundësi të shtohet.