Agim Sulaj
18 nëntor 2026•Përditësim: 18 nëntor 2026
Kosova është mposhtur me rezultat 3-0 nga Irlanda në ndeshjen e fazës së grupeve të Ligës së Kombeve, të zhvilluar në Dublin, transmeton Anadolu.
Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 28-të, kur Troy Parrott shënoi nga penalltia.
Paraprakisht, Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 26-të pasi preku me dorë topin brenda zonës.
Në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 50-të, Parrott shënoi edhe golin e dytë nga penalltia e cila u dha pas një ndërhyrje të portierit kosovar Arijanet Muric.
Golin e tretë për Irlandën e realizoi Jack Moylan në minutën e 75-të, me një goditje me kokë, pas harkimit të Liam Kitching.
Kosova kishte disa raste për shënim në pjesën e parë, përmes Vedat Muriqit dhe Ilir Krasniqit, por portieri Caoimhin Kelleher reagoi me kohë.
Austria e ka siguruar vendin e parë dhe promovimin në Ligën A. Irlanda ka përfunduar e dyta, ndërsa Kosova e treta dhe do të luajë në "play off" për ta siguruar qëndrimin në Ligën B. Izraeli përfundon në vendin e fundit dhe kalon në Ligën C.