Aysu Biçer
09 Dhjetor 2020•Përditësim: 09 Dhjetor 2020
Sipas raportit të një instituti gjerman të kërkimit bazuar në vlerësimin e shifrave të tregtisë, Brexit do të godasë Britaninë e Madhe më shumë sesa BE-në, raporton Anadolu Agency (AA).
"Kjo tregon se pjesa e BE-së në tregtinë e Britanisë është shumë më e madhe se anasjelltas", bëri të ditur raporti i institutit i botuar të martën.
Teksa Brexit do të thotë që të dy palët humbin, Britania e Madhe humb shumë më tepër, theksohet më tej.
"Është në interesin e të dy palëve që të kenë marrëveshje tregtare që nga 1 janari", tha Lisandra Flach, drejtoreshë e Qendrës për Ekonomi Ndërkombëtare.
Sipas raportit, në vitin 2019, 27 vende anëtare të BE-së ishin burimi i 50 për qind të importeve të Britanisë së Madhe dhe destinacioni për 47% të eksporteve të saj, duke e bërë bllokun tregun më të madh për Britaninë e Madhe.
"Për BE27, megjithatë, Mbretëria e Bashkuar është shumë më pak e rëndësishme: në 2019, vetëm 4 për qind e eksporteve të bllokut shkuan atje dhe 6 për qind e importeve të saj erdhën nga atje", thekson raporti.
Në të gjitha vendet evropiane, vetëm disa mallra janë shumë të varura nga importet e Britanisë, tha Flach, duke shpjeguar se kjo do të thotë që rritja e kostove të tregtisë për shkak të Brexit-it do të ketë një ndikim shumë më të vogël në ndërmarrjet në BE27 sesa pritet për homologët e tyre të Britanisë.
Procesi i Brexit-it
Britania e Madhe në referendumin e mbajtur në qershor të vitit 2016 miratoi vendimin e Brexit-it me 52 për qind të votave.
Britania u largua zyrtarisht nga BE më 31 janar të këtij viti, por është duke zhvilluar negociata të gjera me bllokun mbi marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht tregtinë.
Sigurimi i konkurrencës së ndershme, zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare dhe të drejtat e peshkimit janë çështje problematike në bisedimet në vazhdim.
Nëse një marrëveshje nuk mund të arrihet deri më 31 dhjetor, marrëdhëniet tregtare midis dy palëve do të vazhdojnë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.