Gökhan Kurtaran
16 Shkurt 2022•Përditësim: 16 Shkurt 2022
Inflacioni në Britani të Madhe është rritur në 5.5 për qind, niveli më i lartë në 30 vitet e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të Zyrës Britanike të Statistikave Kombëtare (ONS), indeksi i çmimeve të konsumit (CPI) në janar të këtij viti në vend u rrit 5.5 për qind nga 5.4 për qind me bazë vjetore.
Sipas kësaj, muajin e kaluar në vend u shënua niveli më i lartë i inflacionit në 30 vitet e fundit. Inflacioni e rriti efektin e tij duke lënë pas rritjet e të ardhurave.
Kompanitë vazhdojnë të kalojnë kostot e rritura të punës, energjisë dhe prodhimit te konsumatorët e tyre pas pandemisë ndërsa po rritet presioni mbi fuqinë blerëse të familjeve.
Sipas të dhënave të ONS, faturat e energjisë elektrike janë rritur me 19 për qind dhe ato të gazit natyror me 28 për qind në 12 muajt e fundit deri në fund të janarit të këtij viti.
Në të njëjtën periudhë, makaronat u rritën me 15 për qind dhe margarina me 37 për qind.
Duke komentuar të dhënat, krye-ekonomisti i ONS, Grant Fitzner tha: “Rritjet e çmimeve në veshje dhe këpucë rritën inflacionin muajin e kaluar. Edhe pse u bënë ulje tradicionale të janarit, zbritjet në dyqane ishin më të ulëtat që nga viti 1990".
Sekretari britanik i Financave, Rishi Sunak tha se qeveria e kupton presionin e shkaktuar nga rritja e çmimeve mbi familjet dhe për këtë shkak, familjet do të mbështeten deri në 350 paund në vit në faturat e tyre të energjisë.
Në fillim të këtij muaji, Banka e Anglisë vendosi të rrisë normën bazë nga 0.25 për qind në 0.5 për qind për të kontrolluar inflacionin.
Ekspertët theksojnë se pas të dhënave të larta të inflacionit në janar, pritshmëritë që banka të marrë vendime të reja për rritjen e normave të interesit në muajt në vijim janë rritur.