Emre Gürkan Abay
25 janar 2022•Përditësim: 26 janar 2022
Drejtori i Politikave Financiare të Ministrisë së Financave të Rusisë, Ivan Chebeskov, deklaroi se nuk e mbështesin ndalimin e kriptomonedhave në vend, duke u shprehur se "kriptomonedhat duhet të rregullohen, jo të ndalohen", transmeton Anadolu Agency (AA).
Chebeskov mori pjesë në një konferencë dedikuar kriptomonedhave të mbajtur në kryeqytetin Moskë.
Duke theksuar se Ministria e Financave po punon në mënyrë efektive për të rregulluar tregun e parave të kriptomonedhave, Chebeskov u shpreh: “Ne kemi përgatitur një koncept rregullimi brenda Ministrisë së Financave dhe ia kemi dërguar qeverisë. Ende nuk ka një vendim për këtë koncept, qeveria nuk ka marrë një vendim zyrtar, por gjithsesi ky është drejtimi i aktivitetit tonë".
Duke thënë se të drejtat e qytetarëve do të mbrohen nëse tregu rregullohet, Chebeskov tha: “Gjëja e parë që duhet bërë është të mbrojmë interesat e qytetarëve tanë, atyre që blejnë këto asete apo atyre që përdorin kriptomonedha në disa zgjidhje të tjera teknologjike. Kriptomonedha duhet të rregullohen, jo të ndalohen".
Banka Qendrore e Rusisë, në raportin e saj të publikuar më 20 janar, rekomandoi që tregtia dhe minierat e kriptomonedhave të ndaloheshin me arsyetimin se ekonomia ruse ishte ndikuar negativisht.