Sibel Vezaj
07 Mars 2017•Përditësim: 07 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Me iniciativë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, nën koordinimin e Odës Ekonomike të Kosovës, sot në Prishtinë u organizua "Forumi Ekonomik Kosovë-Greqi" , raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Odёs Ekonomike tё Kosovёs, Safet Gërxhaliu gjatë fjalimit hyrës së këtij forumi tha se tani është koha për ta ndërtuar ardhmërinë, e cila sipas tij, nuk mund të bëhet në qoftë se nuk forcohen urat e bashkëpunimit me shtetet mike në rajon dhe më gjerë. Sipas tij, me përfundimin e autostradës për në Shkup, distanca mes Greqisë dhe Kosovës çdo ditë është duke u minimizuar.
“Nuk u bëjmë nder dy komuniteteve të biznesit në qoftë se fokusohemi në këmbimin tregtar në vitin 2016 ku importi nga Greqia ka qenë vetëm 117 milionë, ndërsa eksportet nga Kosova më pak se 1 milion. Prandaj jemi këtu për ta avancuar dialogun, për të gjetur mundësi për bashkëpunim dhe atë jo vetëm në forma klasike por në forma të avancuara”.
George Tsipras, sekretar Gjeneral pёr Marrёdhёnie Ekonomike Ndёrkombёtare nё Ministrinё e Punёve tё Jashtme tё Greqisё shprehu dëshirën që ky forum të jetë pika për nisjen e shkëmbimeve ekonomike në mes të këtyre dy vendeve. Ai theksoi se ky bashkëpunim bilateral duhet të zhvillohet në fushat si ndërtimi, teknologjia informative si dhe energjia e ripërtëritshme.
“Ne kemi avantazhe ku jemi si një urë ndërlidhëse në mes të Evropës, mediteranit, Azisë, dhe Lindjes së Mesme, dhe kjo transformohet në një lidhje të rëndësishme në tregti kombëtare që do të kontribuojë në efekte pozitive dhe mundësi zhvillimi për një vend siç është Kosova”, tha Tsipras.
Kurse zёvendёsministri i Punёve tё Jashtme të Kosovёs, Valon Murtezaj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në këtë periudhë dhe në këtë rajon, ku sipas tij, Evropa po ballafaqohet me sfida të mëdha. Zv/ministri po ashtu tha se vizioni i Kosovës është ai i paqes, dialogut dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe shtoi se Evropa nuk është e kompletuar pa Kosovën.
“Qeveria jonë është e zotuar që t’i bëjë të gjitha reformat e nevojshme, të krijojë një ambient të duhur për të tërhequr investimet e jashtme dhe të mundësojë një jetë më të lehtë, me më pak burokraci për biznismenët. Kjo do të ketë ndikim në punësimin e të rinjve dhe të popullatës në përgjithësi. Unë personalisht po e shoh këtë takimin e ditës së sotme në këtë shpirt”, tha Murtezaj.
Ndërkaq, udhёheqёsja e Zyrёs Ndёrlidhёse tё Greqisё nё Prishtinё, ambasadorja Konstantina Athanassiadou, duke njoftuar se takimet për marrëdhënie ekonomike kanë filluar që nga viti i kaluar, tha se presin që këtë vit të kenë rezultate më konkrete dhe marrëdhënie bilaterale më të forcuara.