Aysu Biçer
07 Prill 2021•Përditësim: 07 Prill 2021
Turkish Souq, uebfaqja e tregtisë elektronike e krijuar me një projekt të përbashkët nga Turqia dhe Katari, është bërë një platformë globale me të cilën produktet turke mund të eksportohen në 47 vende, deklaroi ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Turqisë, Adil Karaismailoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
Themeluar nga shërbimi postar turk PTT dhe shërbimi postar i Katarit në vitin 2018, "turkishsouq.com" mundësoi që mijëra produkte turke të bëhen të disponueshme për qytetarët e Katarit, tha Karaismailoğlu.
"Falë këtij bashkëpunimi, PTT ka bërë një iniciativë të rëndësishme në fushën e eksportit elektronik, e cila gjithashtu mbështetet nga infrastruktura e saj e fortë logjistike, në emër të vendit tonë dhe siguroi furnizimin e afërsisht 300 mijë produkteve në tregun botëror", tha ai.
Përmes kësaj platforme, produktet mund të eksportohen në vendet si, Britani, Itali, Suedi, Portugali, Rusi, Australi, Kanada dhe Brazili, shtoi Karaismailoğlu.
Duke potencuar se duan ta bëjnë tregun turk të rëndësishëm në botë, kryetari i Postës së Katarit, Faleh al-Naemi tha se kur të fillojë tregtia ndërkombëtare, të gjithë në botë do të përfitojnë nga produktet turke.
Ankaraja dhe Doha gëzojnë marrëdhënie të forta, veçanërisht që nga bllokada e vitit 2017 e Gjirit nga Arabia Saudite dhe vendet e tjera.
Të dyja vendet kanë forcuar lidhjet ushtarake dhe ekonomike në vitet e fundit.
Volumi i tregtisë midis dy vendeve u rrit me 6 për qind në vitin 2020 duke arritur në 1.6 miliardë dollarë. Investimet e Katarit në Turqi arritën në 22 miliardë dollarë, sipas të dhënave të siguruara nga Ambasada e Turqisë në Doha.