Duygu Yener
05 Mars 2018•Përditësim: 06 Mars 2018
ANKARA (AA) - Zëvendëskryeministri dhe zëdhënësi i Qeverisë së Turqisë, Bekir Bozdağ, tha se afërsisht gjysma e rajonit të operacionit "Dega e Ullirit" në Afrin të Sirisë ka kaluar nën kontrollin e Forcave të Armatosura Turke, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendëskryeministri turk theksoi se që nga fillimi i operacionit "Dega e Ullirit" e deri më sot janë neutralizuar 2.795 terroristë.
Gjithashtu deri më sot në kuadër të operacionit janë marrë nën kontroll gjithsej 142 rajone, nga të cilat 112 fshatra dhe 30 pika kritike, është shprehur Bozdağ, në një deklaratë pas takimit të Këshillit të Ministrave në Ankara.
Në lidhje me luftën kundër organizatës terroriste DEASH, Bozdağ ka theksuar: "Deri më sot organizata terroriste DEASH në vendin tonë ka kryer 20 sulme terroriste, ku si pasojë kanë humbur jetën 310 persona dhe 967 të tjerë janë plagosur. Gjatë viteve 2011-2018 në Turqi janë arrestuar 4.043 terroristë të DEASH-it, nga të cilët 1.585 prej tyre janë luftëtarë të huaj".
Ndërsa në lidhje me pretendimet për shkëmbime për ushtarët grekë të cilët janë arrestuar pasi kaluan kufirin turk, zëvendëskryeministri i Turqisë ka deklaruar: "Për çështjen e arrestimit në Turqi të dy ushtarëve grekë që kaluan nga Greqia kufirin e Turqisë, nuk ka asnjë kërkesë nga Qeveria e Greqisë ndaj Turqisë, as edhe nga Qeveria e Turqisë ndaj Greqisë në lidhje me një shkëmbim. Nuk ka një gjë të tillë".
Bozdağ theksoi më tej se në Gjermani veprojnë me një lirshmëri të madhe dhe kryejnë propagandë kundër Turqisë organizatat terroriste si PKK, PYD, YPG, FETÖ, DHKP-C.
"Këto organizata atje mbledhin para, zhvillojnë protesta dhe mbledhje, rekrutojnë terroristë dhe kryejnë çdo aktivitet kundër Turqisë. Kjo është e pamundur që të pranohet nga Turqia", tha zëvendëskryeministri i Turqisë.