İlkay Guder
19 Prill 2017•Përditësim: 19 Prill 2017
ANKARA (AA) – Në kolumnën e cila u publikua nga gazeta "Daily Sabah", zëdhënësi i Presidencën turke Ibrahim Kalın ka theksuar se të dielën në referendumin për ndryshimet kushtetuese në Turqi kanë dalur rreth 86 për qind e votuesve dhe sipas rezultateve paraprake, 51.4 për qind të votuesve kanë mbështetur zbatimin e reformave kushtetuese që përfshin kalimin nga sistemi parlamentar në sistemin e udhëheqjes presidenciale në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ai potencoi se referendumi i së dielës ishte kthesë në historinë e demokracisë turke dhe ka hapur një faqe të re të politikës moderne turke.
Duke theksuar se me vullnetin e popullit në referendum është dhënë pëlqimi për zbatimin e reformave kushtetuese e cila do të eliminojë mundësinë e kthimit të Turqisë në periudhat e qeverive të koalicionit të cilat për shkak të konflikteve të brendshme kanë udhëhequr vendin në mënyrë joefikase, Kalın tha se të dielën është garantuar stabiliteti i Turqisë.
Kalın rikujtoi se populli i Turqisë në vitin 2019 përsëri do të dalë në votime dhe në mënyrë direkte do të zgjedhë parlamentin dhe presidentin e ri për një mandat pesë vjeçar.
"Sistemi i ri i jep kompetenca të gjera Parlamentit i cili do të nxjerrë ligje dhe do të mund të procesuojë dhe madje të shkarkojë Presidentin. Kjo është një sistem me mekanizëm të fortë të kontrollit dhe barazpeshimit të pushtetit në të cilën Presidenti dhe Parlamenti do të punojnë së bashku dhe do të harmonizojnë të gjitha vendimet e rëndësishme", sqaron Kalın.
Më tutje, Kalın shkruan se referendumi i së dielës tregoi se edhe votuesit kurdë në masë të madhe kanë votuar për zbatimin e reformës kushtetuese dhe thekson shembujt e provincave Mus, Dijarbakir, Sirt, Van dhe Mardin ku substancialisht dukshëm më shumë votuesit kanë mbështetur reformat në krahasim me numrin e votave që partitë që kanë mbrojtur reformat kanë fituar në zgjedhjet e vitit 2015.
"Mbështetja për ndryshimet kushtetuese në këto rajone ishte më e madhe nga sa pritej dhe ky rast tregon qartë se popullsia kurde nuk pranon aktivitetet terroriste të PKK-së dhe as politikën pro-terroriste të partisë HDP. Popullata jonë kurde ka mbështetur reformat, forcimin e rendit publik dhe luftën kundër terrorizmit. Presidenti Erdoğan, i cili qartë dallon kurdët nga PKK-ja, ka marrë besimin e votuesve kurdë", tha Kalın.
Ai gjithashtu theksoi se mediat perëndimore dhe disa vende evropiane kanë humbur reputacionin e tyre në Turqi dhe me qëndrimet dhe veprimet e tyre të njëanshme kanë sjellë në pikëpyetje të ardhmen e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian.
Ai shtoi se përbërja e misionit vëzhgues të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri Evropiane (OSBE) dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE), të cilët kanë monitoruar referendumin në Turqi është edhe një veprim shtesë i atyre vendeve evropiane që kanë mbështetur fushatën kundër reformës kushtetuese.
"Të hënën, në raportin paraprak të këtij Komisioni vëzhgues është thënë se referendumi në aspektin teknik ishte i mirë, por se fushata ishte e pabarabartë. Paralelisht me këtë u zbulua se disa anëtarë të këtij komisioni publikisht përmes rrjeteve sociale, mbështesin organizatën terroriste PKK. Kjo imponon dyshime serioze për paanshmërinë e raportit nga ky komision", tha Kalın.