Ekip
28 prill 2020•Përditësim: 29 prill 2020
Italia ka konfirmuar 382 vdekje të tjera nga koronavirusi i ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus në vend është rritur në 27.359, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të dhënat e Departmentit të Mbrojtjes Civile Italiane konfirmuan se kurba e ngjitjes vazhdon të shënojë rënie, ndërkohë që bizneset dhe qytetarët italianë përgatiten për një rifillim të pjesshëm të aktiviteteve dhe për një lehtësim të bllokimit mbarëkombëtar duke filluar nga 4 maji.
Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus ka shkuar në 105.205, pasi 608 raste të reja u regjistruan në 24 orët e fundit. Ndërkohë, numri i të shëruarve vazhdon të rritet, duke arritur në 68.941 të shëruar.
Epiqendra e shpërthimit në Itali mbetet rajoni verior i Lombardisë, ku vdekjet vazhdojnë të rriten. Deri më tani në këtë rajon janë regjistruar 13.575 viktima, shifër e cila është më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të vdekjeve në Itali.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të infektuarve nga koronavirusi ka tejkaluar shifrën 3 milionë, me mbi 212 mijë të vrarë dhe rreth 906 mijë të shëruar.